Shtetet e pasura që po grinden për furnizimet me vaksina anti-COVID, duhet të marrin në konsideratë edhe situatën në pjesët e varfra të botës, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë sot, duke paralajmëruar se kjo “mban pandeminë ndezur”.
OBSH-ja ka folur pasi Komisioni Evropian ka thënë se është pajtuar për një plan për të kontrolluar eksportin e vaksinave nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe për në Britani, duke argumentuar se duhet të sigurojë furnizimet e veta.
BE-ja, shtetet anëtare të së cilës janë prapa Izraelit, Britanisë dhe SHBA-së, sa i përket vaksinimit, po përpiqet të marrë furnizime, ndërsa prodhuesit më të mëdhenj të ilaçeve në perëndim kanë ngadalësuar dërgesat me arsyetime se po kanë probleme me prodhim.
“Nëse grumbullojmë vaksinat me një pjesë dhe nuk i ndajmë ato, atëherë do të ketë tri probleme të mëdha. Një, e kam thënë, është një dështim moral katastrofal, e dyta është se do ta mbajë pandeminë ndezur dhe e treta do të ketë një rimëkëmbje ekonomike globale shumë të ngadalësuar”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Pra, është zgjedhja jonë dhe shpresoj të zgjedhim atë të duhurën”.
Mike Ryan, eksperti kryetar i OBSH-së për emergjenca, ka thënë në konferencë, ku morën pjesë edhe një mami nga Uganda dhe një infermiere nga Pakistani, se njerëzit duhet të mendojnë për kolegët e tyre në vijën e frontin.
Ai dënon se vendet janë duke luftuar për “pjesë të tortës”, ndërsa punonjësit shëndetësorë në shtetet e varfra nuk kanë as “qasje në thërrime”.
OBSH-ja ka thënë se bota duhet të diversifikojë zinxhirin furnizues për të bërë vaksinat COVID-19 dhe se po shikon te furnizuesit tjerë.
OBSH-ja ka thënë javën e kaluar se ka arritur marrëveshje me Pfizer/BioNTechun për 40 milionë doza të vaksinës së saj anti-COVID dhe se do të mund të fillojë të dorëzojë vaksina për shtetet e varfra dhe ato me të hyra të mesme muajin e ardhshëm sipas programit COVAX.