OBSh-ja thotë se spitali në Gaza është bërë “gati varrezë”, mjeku thotë se qentë po i hanë kufomat

Prishtinë | 14 Nën 2023 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar spitalin më të madh të Gazës si “gati varrezë”, ndërsa një mjek i ka thënë BBC-së se ditëve të fundit aty kanë vdekur 32 persona, përfshirë tri foshnja me lindje të parakohshme për shkak të mungesës së oksigjenit.

Spitali “Al-Shifa”, që ndodhet në pjesën veriore të Gazës, ka qenë në vijën e frontit të luftimeve intensive gjatë ditëve të fundit. Forcat izraelite pretendojnë se Hamasi është duke menaxhuar një qendër të komandës në tunelet nën këtë spital. Hamasi dhe zyrtarët e spitalit e mohojnë këtë, raporton televizioni BBC.

“Përreth spitalit ka trupa të pajetë për të cilët nuk mund të ofrohet kujdes ose madje as nuk mund të varrosen ose të dërgonte në ndonjë lloj morgu”- tha Christian Lindmeier, zëdhënës i OBSh-së, duke shtuar se rreth 600 persona mbeten në spitalin “Al-Shifa”, ndërsa të tjerë po strehohen korridoreve.

Edhe mjekët kanë folur për grumbullimin e trupave dhe kalbjen e tyre në spital.

Dr. Mohamed Abu Selmia, menaxher i spitalit, ka thënë se tri foshnja me lindje të parakohshme dhe shtatë persona të tjerë kanë vdekur për shkak të mungesës së oksigjenit.

Ai shtoi se disa pacientë të tjerë, që kanë nevojë për dializë, janë në rrezik nga vdekja “gjatë ditëve të ardhshme”, sepse trajtimi nuk është më i mundshëm.

Sipas tij, autoritetet izraelite ende nuk kishin dhënë leje për largimin e trupave të pajetë dhe varrosjen e tyre dhe se qentë kishin hyrë në terrenin e spitalit dhe kishin filluar që t’i hanin kufomat.

Sulmi ndaj Izraelit / Raportohet për pacientë të vdekur pas harxhimit të karburantit në spitalin kryesor të Gazës
Shqetësim ka edhe për gjendjen e dhjetëra foshnjave me lindje të parakohshme që nuk mund të mbahen më në inkubatorë për shkak të ndërprerjeve të rrymës.

Mjeku Selmia tha se shtatë prej këtyre foshnjave tashmë kanë vdekur për shkak të mungesës së oksigjenit.

Mark Regev, këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjanim Netanyahu, tha se vendi i tij po ofronte “zgjidhje praktike” për evakuimin e foshnjave dhe e akuzoi Hamasin se nuk i ka pranuar propozimet.

Të ngjashme