Në Republikën Demokratike të Kongos mund të shpërthejë një epidemi e madhe e ebolas. Të gjitha shpresat për ta frenuar pjesën tjetër të virusit, janë tani tek një vaksinë, e cila ende nuk është miratuar për përdorim.
“Ne jemi shumë të shqetësuar dhe po përgatitemi për të gjitha skenarët, madje edhe më të këqinjtë,” tha zëvendëskryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Peter Salama në Gjenevë. Edhe vendet përreth janë në rrezik. “Ne kemi vënë tashmë nëntë vende fqinje në alarm të lartë,” tha Salama.
Virusi mund të përhapet veçanërisht në vendet fqinje Kongo-Brazavil dhe Republikën e Afrikës Qendrore për shkak të lumit të Kongos dhe lumenjve të tjerë të përbashkët.
Që nga 4 prilli, ka 32 raste të dyshuara ose të konfirmuara, dhe 18 vdekje. Një rast i ri i dyshuar është raportuar nga qyteti veriperëndimor i Bikoro. Ministritë e Jashtme të disa vendeve u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të mos udhëtojnë në këtë rajon, shkruan DW.
Shpresat tek vaksina
OBSH-ja shpreson se një vaksinë e krijuar nga firma farmaceutike Merck mund të lejohet që të hidhet në qarkullim brenda pak ditësh. Kjo vaksinë konsiderohet si shumë efektive, por ende nuk është licencuar. Përveç kësaj, ajo duhet të ruhet në temperatura minus 60 deri në minus 80 gradë Celsius.