Në prag të Ditës Botërore pa duhan (31 maj), Organizata Botërore e Shëndetësisë e thekson dëmin që shkakton duhani në shëndetin e mushkërive.
Mbi 40% të të gjitha vdekjeve nga duhani janë pasojë e sëmundjes së mushkërive sikurse është kanceri, sëmundja e rrugëve të frymëmarrjes dhe tuberkulozi, njofton Klan Kosova.
OBSH iu bën thirrje të gjitha shteteve dhe partnerëve për të shtuar aktivitetet, për t’i mbrojtur njerëzit nga ekspozimi i duhanit.
”Çdo vit, duhani vret së paku 8 milion njerëz. Miliona më shumë jetojnë me kancer të mushkërive, tuberkuloz, astma ose sëmundja kronike të mushkërive të shkaktuara nga duhani”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.
”Mushkëritë e shëndosha janë thelbësore për jetë të shëndoshë. Sot dhe çdo ditë, ju mund të mbroni mushkëritë tuaja, të miqëve dhe familjarëve tuaj duke i thënë Jo duhanit”.
Në 2017, duhani ka mbytur 3.3 milion përdorues dhe persona jo duhanpirës që i janë ekspozuar tymit të duhanit të njerëzve tjerë nga sëmundje të ndryshme të mushkërive, përfshirë:
1.5 milion njerëz vdesin nga sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes
1.2 milion vdekje nga kanceri (trakesë, bronkeve dhe mushkërive)
600 000 vdekje nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes dhe tuberkulozi
Më shumë se 60 000 fëmijë nën moshën 5 vjeç vdesin nga infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes të shkaktuara nga duhanpirja pasive. Ata që jetojnë deri në moshën e pjekurisë, më vonë gjatë jetës, kanë më tepër gjasa të zhvillojnë sëmundje kronike obstruktive të mushkërive.
Çka mund të bëjmë?
OBSh inkurajon shtetet të luftojnë duhanpirjen përmes zbatimit të plotë të konventës kornizë të OBSh për kontrollin e duhanit (FCTC e OBSh) dhe zbatimi i veprimeve efektive të kontrollit të duhanit duke përfshirë masat e rekomanduara të OBSh-së për politika “MPOWER” për shembull duke reduktuar kërkesën për duhan përmes vënies së taksave, duke krijuar mjedise pa tym dhe mbështetje për ndërprerje të pirjes së duhanit.
OBSh, poashtu i inkurajon prindërit dhe liderët e komunitetit të ndërmarrin hapa për të ruajtur shëndetin e familjarëve dhe komunitetit të tyre duke i informuar ata për/ dhe duke i mbrojtur nga dëmet e shkaktuara nga duhani.
Shënime për edituesit
Ekspozimi në tym duhani ka ndikim të madh në shëndetin e mushkërive të njerëzve në tërë botën duke përfshirë mënyrat vijuese:
Kanceri i mushkërive: Duhanpirja është shkaku parësor i kancerit të mushkërive, përgjegjëse për mbi dy të tretat e vdekjeve të kancerit të mushkërive në mbarë botën.
Ekspozimi në tym të duhanit të njerëzve tjerë në shtëpi ose në vendin e punës gjithashtu e rritë rrezikun e kancerit të mushkërive. Lënia e duhanit mund t’a reduktojë rrezikun e kancerit të mushkërive: pas 10 viteve nga lënia e duhanit rreziku i kancerit të mushkërive bie në gjysmë në krahasim me atë të duhanpirësit.
Sëmundjet kronike të rrugëve të frymëmarrjes: Duhanpirja është shkaku kryesor i sëmundjes obstruktive kronike të mushkërive (COPD), gjendje në të cilën mukoza e mbushur me qelb në mushkëri rezulton me kollitje të dhimbshme dhe vështirësi tejet të mëdha në frymëmarrje. Risku i zhvillimit të sëmundjes kronike obstruktive të mushkërive (COPD) është tejet i lartë tek individët të cilët fillojnë të pijnë duhan në moshë të re dhe ata që I ekspozohen tymit të duhanit të njerëzve tjerë, pasiqë tymi i duhanit e ngadalëson shumë zhvillimin e mushkërive.
Duhani, poashtu e përkeqëson astmën që e kufizon aktivitetin dhe i kontribuon aftësisë së kufizuar.
Ndalja e hershme e duhanpirjes është trajtimi më efektiv për ngadalësim të progresit të sëmundjes kronike obstruktive të mushkërive (COPD) dhe përmirësimit të simptomeve të astmës.
Gjatë ciklit jetësor: Foshnjet që i ekspozohen në mitër, toksineve të tymit të duhanit përmes duhanpirjes së nënës ose ekspozimit të nënës në tymin e duhanit të njerëzve tjerë, shpeshherë përjetojnë rritje dhe funksion të reduktuar të mushkërive. Fëmijët që i ekspozohen tymit të duhanit të njerëzve tjerë janë në rrezik të shfaqjes dhe përkeqësimit të astmës, pneumonisë dhe bronhitit dhe infeksioneve të shpeshta të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. Poashtu, duhanpirësit duhet të sigurojnë se ata asnjëherë nuk pijnë duhan në prezencë të një foshnjeje ose fëmije.
Tuberkulozi: Tuberkulozi (TB) dëmton mushkëritë dhe redukton funksionin e mushkërive që mëtutje përkeqësohet nga tymosja e duhanit. Rreth një e treta e popullsisë së botës ka TB latent, gjë që i vë ata në rrezik të zhvillimit të sëmundjes aktive. Njerëzit të cilët tymosin kanë dy herë më shumë gjasa të sëmuren me TB. TB aktiv i kombinuar me efektet dëmtuese të shëndetit të mushkërive nga duhanpirja, në masë të madhe e rritë rrezikun e aftësisë së kufizuar dhe vdekjes nga dështimi i rrugëve të frymëmarrjes. Personat që vuajnë nga TB duhet menjëherë të ndërmarrin hapa për ta ndalur duhanpirjen, për të mundësuar trajtim efikas të TB.
Ndotja e ajrit: Tymi i duhanit është formë e rrezikshme e ndotjes së ajrit në ambiente të mbyllura: përmban më shumë se 7000 kimikate, 69 prej të cilave dihet se shkaktojnë kancerin. Këto kimikate në tym mund të jenë të padukshme dhe pa erë, mirëpo janë prezente në ajër deri në pesë orë.
Si është lidhja e duhanit me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG): për ta arritur cakun e zhvillimit të qëndrueshëm të reduktimit të një të tretës në vdekshmërinë e parakohshme nga sëmundjet jongjitëse kronike deri në vitin 2030, kontrolli i duhanit duhet të jetë prioritet për qeveritë dhe komunitetet në mbarë botën. Bota nuk është në pozitë që ta arrijë këtë cak, njofton Klan Kosova.