OBSH paralajmëron për “epideminë” e obezitetit në Evropë

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se “epidemia” e mbipeshës dhe obezitetit shkakton mi 1.2 milion vdekje në vit në të gjithë Evropën.

Në raportin e publikuar të martën, OBSH-ja tha se normat e obezitetit në rajon janë rritur për 138 për qind në pesë dekadat e fundit.

Gati një e katërta e të rriturve tani janë obezë në Evropë – më shumë se në çdo rajon tjetër, përveç Amerikës, tha OBSH-ja.

“Përqindjet e mbipeshës dhe obezitetit kanë arritur përmasa epidemike në të gjithë rajonin dhe janë duke u përshkallëzuar”, tha Zyra në Evropë e OBSH-së.

“Rritja e indeksit të masës trupore është faktor kryesor rreziku për sëmundjet jo të transmetueshme, përfshirë kancerin dhe sëmundjet kardiovaskulare”, citohet në raport drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge.

Obeziteti shkakton së paku 13 lloje të ndryshme të kancerit dhe ka të ngjarë të jetë përgjegjës për së paku 200,000 raste të reja të kancerit në vit, thuhet në raport.

“Kjo shifër do të rritet edhe më në vitet e ardhshme”, paralajmëroi OBSH-ja.

Mbipesha dhe obeziteti vlerësohet se shkaktojnë më shumë se 1.2 milion vdekje në vit, duke përbërë më shumë se 13 për qind të vdekjeve në rajon, thuhet në raportin e OBSH-së.

Organizata bëri thirrje për ndryshimin e politikave, për të parandaluar obezitetin dhe për të promovuar stile të shëndetshme të jetesës. Si shembuj, ajo përmendi taksimin e pijeve me sheqer dhe subvencionimin e ushqimeve të shëndetshme. 

Të ngjashme