Numri i rasteve të fruthit, të raportuara në mbarë botën në tre muajt e parë të vitit 2019, është trefishuar në krahasim me të njëjtën kohë të vitit të kaluar, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas saj, Afrika ka dëshmuar rritjen më dramatike – 700%.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se numri aktual mund të jetë shumë më i madh, pasi vetëm një në 10 raste globalisht raportohen.
Fruthi është një sëmundje virale infektive që nganjëherë mund të çojë në komplikime të rënda shëndetësore, përfshirë infeksionet në mushkëri dhe tru.
Sipas OBSH-së, Ukraina, Madagaskari dhe India janë vendet më të prekura nga kjo sëmundje, me dhjetëra mijëra raste të raportuara.
Që nga shtatori, së paku 800 vetë kanë vdekur nga fruthi vetëm në Madagaskar.
Shpërthimet kanë goditur gjithashtu Brazilin, Pakistanin dhe Jemenin, “duke shkaktuar shumë vdekje – kryesisht në mesin e fëmijëve të vegjël”, tha OBSH-ja.
Sëmundja thuhet se është krejtësisht e parandalueshme me vaksinat e duhura.