OBSh: Zbutja e masave – gradualisht, përgatituni për një valë të re të pandemisë

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar vendet që po planifikojnë të zbusin masat mbrojtëse në luftën kundër pandemisë së Covid-19, që të jenë të gatshme për reagim të shpejtë në rast se vjen deri te një valë e re.

Tedros gjatë një takimi virtual me ministrat e Shëndetësisë së vendeve anëtare të G20, ka deklaruar se po e inkurajon fakti se disa vende anëtare planifikojnë të zbusin masat kufizuese për shkak të pandemisë.

Megjithatë, siç raporton AP, ka thënë se është thelbësore se zbutja e këtyre masave kufizuese të realizohen me faza – pra gradualisht.

Zbutja e masave kufizuese sipas tij nuk do të thotë se ka marrë fund epidemia në cilindo vend, “po thjesht ka filluar një fazë e re”.

“Është e shumë e rëndësishme që në fazën tjetër, vendet të jenë më të edukuara, të angazhojnë dhe përgatisin qytetarët për të parandaluar dhe reaguar shpejtë në rast të ndonjë vale të re të Coronavirusit. Të sigurojnë kapacitete të mjaftueshme për kryerjen e testeve, të izolojnë dhe kujdesen për këdo që infektohet dhe të gjurmojnë kontaktet që mund t’i kenë pasur”, ka shtuar ai.

Kreu i OBSH-së është shprehur i shqetësuar me forcimin e pandemisë së Coronavirusit në vendet e varfra, të cilave u mungojnë resurset për luftimin me numrin e madh të rasteve pozitive.

Të ngjashme