O’Connell: E rëndësishme që Kosova është e pavarur, qëndrimet gjithnjë ishin nga Qeveria e Britanisë

Prishtinë | 13 Qer 2019 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë se gjatë mandatit të tij qëndrimet që ai jepte ndaj zhvillimeve në Kosovë nuk ishin personale të tij por të gjithë Britanisë së Madhe.

Qëndrime të tilla për ta ndërtuar Kosovën, sipas Ruairi O’Connell do të ketë edhe në të ardhmen edhe pas ardhjes së ambasadorit të ri.

”Kosova çdo herë do të ketë vend të veçantë në zemrën time”.

”Qëndrimet e ambasadës së Britanisë, nuk kanë qenë qëndrime të mijat por kanë qenë të Qeverisë së Britanisë dhe kjo do të vazhdojë. Marrëdhëniet mes nesh nuk varen nga një njeri, por nga shoqëritë që investojnë në këto marrëdhënie, për të krijuar Kosovën për investim”.

”Është shumë e rëndësishme që të mos konsiderohen ambasadat, ambasadorët – ashtu siç konsiderohen në Kosovë. Është shumë  e rëndëishme që Kosova është e pavarur dhe ndihet plotësisht sovrane. Por nuk duhet të jenë ambasadorët përgjegjësit e parë të shoqërisë”.

Këto deklarata ambasadori britanik Ruairi O’Connell i tha sot në Ora 7 të Klan Kosovës, ndërsa dha detaje rreth fushatës British Talks, ku në nderë të 20 vjetorit të çlirimit të vendit, janë ftuar gazetarë të huaj për të folur rreth lirisë së shtypit.

”Liria e medias është e shumë e rëndësishme. Janë vrasjet, kidnapimet shumë sfida. Sekretari i Jashtëm i Britanisë ka vendosur të mbajë një fushatë në mbrojtje të lirisë së shtypit. Situata në Kosovë nuk është më e keqja në botë por nuk është edhe aq e volitshme. Ka shumë gazetarë të cilët janë sulmuar”.

”Situata nuk është këtu sikur në gjithë botën. Por nuk duhet të pranojmë praktikën ku gazetarët sulmohen vetëm duke e bërë punën e tyre. Baza profesionale është se njeriu mund ta kryejë punën e tij duke mos pasur cënime apo sulme. Kemi ftuar në këtë fushatë një gazetar britanik. Ditët e British Talks do të zhvillohen sonte në Kino Armata. Çdo shikues mund të ndjek shfaqjet përmes ambasadës britanike dhe mund të parashtrojnë pyetje me bashkëfolësit”.

O’Connell tregoi se deri tani në këtë fushatë kanë konfirmuar pjesëmarrjen rreth 300 persona, njofton Klan Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme