Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka përshndetur vlerësimin e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për Xhabir Zharkun.
Tahiri e kishte përshkruar këtë rast “të turpshëm”, andaj sipas O’Connel përsëritja e rasteve të ngjashme duhet të ndalohet, transmeton lajmi.net.
“Një hap i parë i mirë do të ishte heqja e dispozitave ligjore që lejojnë kriminelët e dënuar t’i shmangen vuajtjes së dënimit”, ka shkruar ambasadori britanik në llogarinë e tij në Facebook.
“Është inkurajuese të shohë që Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri e përshkruan rastin e Xhabir Zharkut si të turpshëm. Qytetarët e Kosovës meritojnë një veprim konkret për të ndaluar përsëritjen e rasteve te ngjashme në te ardhmen. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Një hap i parë i mirë do të ishte heqja e dispozitave ligjore që lejojnë kriminelët e dënuar t’i shmangen vuajtjes së dënimit. Ky është një test për gadishmërinë e Kosovës për ta luftuar kriminalitetin në politikë”, shkruan ai.
Ndryshe, sot në një konferencën të organizuar nga BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri foli rreth rastit të ish- kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.
Tahiri duke mos ia përmendur emrin, tha se Zharku është turpi i Kosovës dhe rastet e tilla nuk duhet të përsëriten.
“I bashkohem ambasadorit britanik, është turpi i Kosovës, por rastet e tilla nuk duhet të na demotivojnë që ta mbështesim gjyqësorin. Rastet e tilla nuk duhet të përsëriten”, tha Tahiri.