Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka organizuar tryezën me temë “Drejtësia e vonuar – drejtësi e mohuar: Stërzgjatja e procesit për njohjen dhe verifikimin e statusit për të mbijetuarit e luftës në Kosovë.
Në këtë tryezë u bë thirrje që tema për njohjen e statusit të viktimave të dhunës të mos mbetet vetëm temë e fushatës elektorale, por të punohet me viktimat e dhunës sepse kjo është temë imediate, raporton Ekonomia Online.
Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së, tha se shënimi i kësaj ditë bëhet për të rritur ndërgjegjësimin për këto viktima.
Ajo tha se sot janë mbledhur për të parë se ku ka mbetur procesi për viktimat e dhunës gjatë luftës. Ajo përmendi edhe disa rekomandime.
“Të rishikohet korniza ligjore për të siguruar që të dhunuarit e dhunës seksuale të njihen si viktima të dhunës, e dyta të ofrohen masa shëndetësore dhe arsimore dhe rekomandimi i tretë flet për përkrahjen që e meritojnë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, për 15 vite me radhë OJQ që kanë punuar me të mbijetuarit kanë qenë zëri i vetëm i atyre që kanë përjetuar dhunë gjatë luftës.
Rushiti tha se deri në vitin 2015 është rrumbullakuar i gjithë legjislacioni dhe është formuar komisioni.
Ish-presidentja Atifete Jahjaga, tha se është e vërtetë që kemi pasur vonesa të tmerrshme të njohjes së statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
“Aplikimi që pritet të nis në vjeshtën e këtij viti do të jetë pikë kthese për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Për herë të parë të mbijetuarit do të kërkojnë të drejtat e tyre që u takojnë me ligj. Do të ketë edhe më tepër punë që ligji që zbatohet në praktikë do të ketë nevojë edhe për nxjerrjen e akteve nënligjore. Duhet të punojmë dhe ta qojmë këtë proces deri në fund. Dënimi i kryerësve të krimit është pjesa më kruciale dhe më e rëndësishme”, ka thënë ajo.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, tha se është përgjegjësi e madhe që të bisedohet për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Të mbijetuarit kanë nevojë që tu njihet statusi dhe ti ofrohet ndihma konkrete që e meritojnë. Është e vërtetë që shumë hapa janë marrë nga qeveria dhe shoqëria civile. Fatkeqësisht kanë mbetur edhe hapa të pazbatuar. Qeveria e ardhshme duhet të caktoj shumën e pensioneve. Ky pension duhet të jetë dinjitoz”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Qeveria britanike është e përkushtuar të punojë në këtë drejtim dhe të ju mbështes. Sipas tij, qëllimi është që viktimat dhe fëmijët e tyre mos të mos fajësohen për atë që atyre u ka ndodhur.
“Është koha që të mbijetuarve t’iu ofrohet drejtësi”, ka thënë ai.
Kryetarja e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Igballe Rugova ka thënë se ne dialog nuk është folur asnjëherë për krimet edhe pse është kërkuar. Ajo ka thënë se është pikërisht Serbia ajo që duhet të paguajë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës pasi që kjo e fundit është agresori.
“Vullneti politik i Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë që kjo çështje me u shty përpara. Ne mendojmë që duhet edhe shpresojmë që qeveria e ardhshme të kërkoj kushte që Serbia të pranoj krimet që i ka kryer, e dyta buxhetin duhet ta sigurojë Serbia agresori, pra duhet të bëjmë kërkesën që Serbia të paguaj”, ka thënë ajo.