Çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet edhe në Samitin e Londrës që do të mbahet më 9 dhe 10 korrik. Kështu bëri të ditur, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Ai tha se kjo çështje është jetike për pajtim dhe bashkëjetesë mes vendeve të rajonit, raporton Ekonomia Online.
Këto komente O`Connell i bëri gjatë takimit të Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Shpresojmë që në Samitin e Londrës më 9-10 korrik të këtij viti do të ketë një fokus në çështjen e të zhdukurve si çështje jetike e kyçe për bashkëpunim, pajtim bashkëjetesë rajonale”, tha ai.
Ambasadori anglez premtoi mbështetje për Kosovën në zgjidhjen e çështjes lidhur me personat e zhdukur.
Sipas tij, këtë vit do të fokusohen kryesisht në përkrahjen e organeve shtetërore qeveritare për të zhdukurit, rritjen e kapaciteteve për bashkëpunim rajonal, e të tjerë.
“Ne i kemi bërë premtimin, kemi dhënë zotimin që do ta ndihmojmë Kosovën, shoqërinë e Kosovës, qeverinë për të trajtuar këto çështje dhe do të vazhdojmë”.
“Këtë viti kemi planifikuar punë në tri fusha, përkrahjen për organet shtetërore qeveritare për të zhdukurit, për rritjen e kapacitetit bashkëpunim rajonal ose punën për të identifikuar vendet ose ngjarjet”, tha O`Connell.
Se do të përfundojnë përgjegjësitë e tyre lidhur me zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur, u zotua edhe Prenkë Gjetaj, kryesues i komisionit qeveritar për persona të zhdukur, raporton EO.
“Ne e kemi për obligim para së gjithash kombëtar e njerëzor por edhe ligjor që të kryejmë detyrat dhe përgjegjësitë e tona në përputhje me legjislacionin në fuqi “.
Ndërsa, Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, në takimin e këtij komisioni, shpalosi punën që është duke u bërë, raporton EO.
Gara tha se Prokuroria Speciale e Kosovës është shprehur e gatshme në trajtimin me prioritet të kërkesave që vijnë nga njësiti për krime lufte.
“Prokuroria Speciale e Kosovës ka shpreh gatishmërinë për të vazhduar në përkrahje dhe trajtim me prioritet të gjitha kërkesat që vijnë nga njësiti i policisë për krime lufte, sigurimin e urdhëresave të nevojshme për procesin apo kërkimin e përpjekjes tonë të përbashkët për të ndryshuar fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur”.