Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e paralajmëruar të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në sektorin publik.
Oda Amerikane beson fuqishëm se ky vendim i mundshëm do të rriste më tej boshllëkun në nivelet e pagesave në sektorin publik dhe privat, veçanërisht duke e ditur se normat e rritura në mënyrë të vazhdueshme në sektorin publik nuk mund të përcillen nga sektori privat, si rezultat i sfidave dhe vështirësive me të cilat përballet ky i fundit.
Poashtu, rritja e pagave në sektorin publik rrit presionin mbi buxhetin tashmë të kufizuar, si dhe mbi tatimpaguesit e Kosovës, e në të njejtën kohë do të ishte në kundërshtim me sugjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, por edhe me përkushtimin dhe përpjekjet e shtetit për rritje më të lartë ekonomike, meqë kjo e fundit varet nga sektori i qëndrueshëm dhe konkurrues privat, derisa vendimi i paralajmëruar do të cenonte direkt konkurrueshmërinë dhe potencialin e rritjes së sektorit privat.
Oda Amerikane rikujton Qeverinë e Kosovës se vendimi i paralajmëruar do të bënte sektorin privat më pak atraktiv për punëkërkuesit dhe do të inkurajonte zhvendosjen e fuqisë punëtore nga sektori privat në atë publik.
Kjo vetëm se do të shtonte vështirësitë me të cilat përballet sektori privat në aspektin e disponueshmërisë së fuqisë punëtore dhe çështjet e tjera që lidhen me boshllëkun e shkathtësive në Kosovë.