Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret aprovimin nga ana e ekzekutivit të Projektligjit për Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike, si një akt i rëndësishëm legjislativ për transformimin e ekonomisë në përputhje me zhvillimet teknologjike globale. Aprovimi i këtij projektligji është njëra nga pesëdhjetë rekomandimet që Oda Amerikane i ka prezantuar Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Oda Amerikane vlerëson se ky ligj do të kontribuonte në zhvillimin e ekonomisë digjitale, zvogëlimin e barrës administrative për transaksionet elektronike ndërmjet palëve, si dhe rritjen e efikasitetit të proceseve të biznesit duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kostot.
Në të njëjtën kohë, rritja e sigurisë në transaksionet elektronike do t’u ofronte bizneseve një bazë më të madhe të konsumatorëve.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane shpreh besimin e saj që edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do të aprovojë në kohë të shpejtë Projektligjin në fjalë, së bashku me aktet e tjera legjislative të përfshira në agjendën e këtij viti, e të cilat do të kishin ndikim në përmirësimin e klimës së investimeve dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike të Kosovës.