Përmes një telegrami dërguar në emër të të gjithë anëtarëve të saj, Bordit të Guvernatorëve dhe stafit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu me rastin e vdekjes së ndërmarrësit Latif Kryeziu.
Oda Amerikane çmon tejmase kontributin që z. Kryeziu ka dhënë në fuqizimin e sektorit privat në Kosovë dhe në zhvillimin ekonomik të vendit në veçanti, përmes krijimit të mijëra vendeve të punës. Përmes angazhimit të tij në sektorin privat për mbi tri dekada, z. Kryeziu i ka lënë Kosovës ndërmarrje të fuqishme të cilat janë ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit si AL Petrol dhe Shell Kosova, Royal, ndërsa së fundmi po punonte me ngazëllim të veçantë edhe në hapjen e hotelit të parë të zinxhirit amerikan Hilton në Kosovë.
Z. Kryeziu ka demonstruar edhe një angazhim të pashembullt përgjatë katër muajve të fundit pas shpërthimit të pandemisë COVID19 në ngritjen e shqetësimeve të komunitetit afarist në Kosovë, por edhe në ofrimin e rekomandimeve konkrete për tejkalimin e vështirësive me të cilat po përballet sektori privat në Kosovë.
Oda Ekonomike Amerikane është krenare dhe përherë falënderuese për përkrahjen e vazhdueshme të z. Kryeziu për të gjitha aktivitetet e saj, përfshirë edhe ato filantropike, ndërsa, nga dita e sotme, Republikës së Kosovës do t’i mungojë një ndërmarrës i palodhshëm dhe një avokues i zëshëm i komunitetit të biznesit.