Oda Amerikane: Shqetësuese sulmet verbale të liderëve të qeverisë ndaj Kushtetueses

Prishtinë | 27 Qer 2024 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me siç kanë thënë, sulmet e fundit verbale të liderëve të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura gjyqësore, veçanërisht Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në një reagim të tyre dërguar mediave thuhet se në shoqëritë demokratike, ndarja e pushteteve është thelbësore. Prandaj sipas tyre institucionet e pavarura duhet të veprojnë pa ndërhyrje me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit demokratik.

Deklaratat që cenojnë këto institucione janë të papranueshme, meqë shkelin parimin e ndarjes së pushteteve dhe gërryejnë vlerat demokratike, për ndërtimin e të cilave, Kosova ka punuar shumë. Është detyrë e të gjitha palëve të interesit dhe zyrtarëve politikë të respektojnë kornizën kushtetuese dhe ligjore të shtetit. Kjo përfshin jo vetëm kryerjen e funksioneve dhe përmbushjen e përgjegjësive të tyre, por edhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të tjera. Formulimi i politikave, ndërtimi i konsensusit, hartimi i legjislacionit dhe rishikimi i akteve ligjore duhet të bëhen brenda kufijve të respektimit të pavarësisë së gjyqësorit”, thuhet në reagimin e tyre.

Oda Amerikane u ka bërë “jehonë thirrjeve të misioneve diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare në të kaluarën për respektim të vendimeve gjyqësore”. Ky respekt thuhet se është kritik për të ardhmen demokratike të Kosovës.

“Ekzekutivi dhe të gjithë hisedarët politikë duhet të njohin dhe respektojnë pavarësinë e të gjitha shtyllave të pushtetit, duke përfshirë gjyqësorin, median, shoqërinë civile, sektorin privat dhe organet e pavarura rregullative. Mbajtja e këtyre parimeve siguron llogaridhënie dhe transparencë, të cilat janë jetike për ndërtimin e besimit publik, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve, përmirësimin e qeverisjes, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive dhe parandalimin e abuzimit me pushtetin”, thuhet në reagim.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u ka kërkuar udhëheqësve të shtetit që të respektojnë vendimet gjyqësore dhe të përmbahen nga deklaratat që ndërhyjnë në punën e gjyqësorit. “Institucionet e Kosovës kanë obligim të vazhdueshëm që të respektojnë sundimin e ligjit në të gjitha rrethanat, duke shmangur në këtë mënyrë ushtrimin arbitrar të pushtetit”, thuhet në reagim.

Reagimi i OEAK-së vjen një ditë pasi që Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka akuzuar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, për siç ka thënë, shërbim ndaj nomenklaturës së vjetër.

Ajo ka reaguar pasi që Gjykata Kushtetuese e shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të ngjashme