Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria me vendimin e ditës së djeshme për ndalimin e veprimtarive afariste pa konsultim paraprak me organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, përcjell Ekonomia Online
Duke mirëkuptuar nevojën e mbrojtjes së shëndetit publik përmes ndërmarrjes së masave të duhura për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID19, Oda Ekonomike Amerikane kërkon që në të njëjtën kohë të merren në konsideratë edhe dëmet që kufizimi i veprimtarive afariste ka për ndërmarrjet e sektorit privat dhe mbijetesën e tyre.
Tutje Oda Amerikane, thotë se vendimi i djeshëm lë hapësirë për keqkuptime pasi nuk është i definuar mirë.
“Për më tepër, vendimi i djeshëm, lë hapësirë për interpretim të dyanshëm për shkak të mosdefinimit eksplicit të termave të përfshirë në vendim, i cili po rezulton në ndëshkimin e ndërmarrjeve private, siç është rasti me termin “marketet e vogla” pa sqaruar se cilat elementet e përcaktojnë madhësinë e një ndërmarrjeje të shitjes me pakicë. Formulimet e tilla çojnë në ndëshkim të padrejtë të ndërmarrjeve private, të cilat me gjithë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia COVID19 kanë bërë më të mirën që të vazhdojnë aktivitetin e tyre dhe të ruajnë vendet e punës, por edhe në trajtim jo të barabartë të ndërmarrjeve të ndryshme brenda sektorëve të njëjtë”, thuhet në komunikatën e tyre.
Duke ndarë shqetësimet edhe me përfaqësuesit e sektorëve të caktuar afaristë, Oda Ekonomike Amerikane i bënë thirrje Qeverisë që të mundësojë komunikimin përmes mekanizmave ekzistuesë të dialogimit ose formave të tjera, të marrë në konsideratë shqetësimet dhe rekomandimet e sektorit privat, si dhe të përcjellë me masa specifike mbështetëse vendimet e saj për kufizimin e aktivitetit afarist.