Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj ka thënë se do të mbështesin shoqatat e infermierëve të cilat do të angazhohen për të bërë edukimin e vazhdueshëm profesional të infermierëve
Shoqatat e infermierëve të cilat do të bëjnë edukim të vazhdueshëm profesional do të mbështeten nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
Kështu ka thënë Naser Rrustemaj, Kryetar i Shoqatës së Infermierëve të Kosovës, me rastin e hapjes së Simpoziumit të Shoqatës së Infermierëve të Urologjisë.
Rrustemaj ka thënë se shoqatat duhet të aktivizohen që të luajnë rolin e tyre dhe të organizojnë konferenca dhe punëtori që kanë për qëllim edukimin profesional të infermierëve.
Sipas Rrustemajt, fatkeqësisht ka disa shoqata që janë vetëm fiktive dhe nuk bëjnë punë në edukimin e vazhdueshëm professional.
“Ne ftojmë shoqatat tjera që ta bëjnë këtë që sot po e bën Shoqata e Infermierëve të Urologjisë”, ka thënë Rrustemaj, duke shtuar se me këto simpoziume ndihmohet në misionin e edukimit të vazhdueshëm profesional të infermierëve.
Fetije Huruglica, shefe e Divizionit të Infermierisë në Ministri të Shëndetësisë ndërkaq ka thënë se divizioni i Infermierisë në MSh duke zbatuar politikat dhe standardet e përcaktuara me ligj ka arritur që mbi 80 përqind të infermierëve të punësuar të kalojnë në procesin e edukimit të vazhdueshëm profesional.
“Sot jemi në pozitë shumë të mirë, dhe sot po dëshmojmë se edhe infermieria kosovare ka kompetenca dhe zbaton njohuritë në praktikë dhe në organizime të tilla ndahen përvojat me kolegët. Ne si Ministri e Shëndetësisë bashkë me Ju do të punojmë që të ngrisim dhe fuqizojmë rolin e infermierisë”, është shprehur Huruglica.
Shpresa Makolli, Kryetare e Shoqatës së Infermierëve të Urologjisë ka thënë se duke marrë parasysh numrin e madh të infermierëve me gradë bachelor dhe master, atëherë mund të thuhet lirisht se për nga shkollimi infermierët kosovarë mund të krahasohen me gjithë vendet tjera bashkëkohore.
“Ajo që brengosë është se shumë student tanë që ndjekin studimet, synim kanë ikjen jashtë vendit.
Andaj, shfrytëzoj rastin nga ky takim që t’I ftoj institucionet që të ofrojnë kushte më të mira dhe paga më të larta, duke bazuar edhe vendin ku punojnë dhe shkollimin në mënyrë që të ndalet trendi i largimit të infermierëve”, ka shtuar ndër të tjera Makolli.
Ndërkaq, Fitor Abdullahu, përfaqësues i Shoqatës së Infermierëve të Luginës së Preshevës, që po marrin pjesë në këtë simpozium, ka thënë se shpresojnë që të kenë edhe bashkëpunime tjera me infermierët e Kosovës.
Ndryshe, në simpoziumin e Shoqatës së Infermierëve të Urologjisë do të trajtohen tema që ndërlidhen me kujdesin infermieror në spitale, njohuritë e infermierëve në salla operative në lidhje me mbetjet spitalore, për rolin e infermierëve anestezist në urologji si dhe tema tjera me shumë interes nga përvojat e infermierisë bashkëkohore.