Oda e Mjekëve të Kosovës ka mbajtur kuvend, në të cilin ka miratuar të gjitha rregulloret e nevojshme për bartjen e të gjitha kompetencave publike të parapara me Ligjin për Odat e profesionistëve shëndetësor.
Në një njoftim për media, thuhet se pas një debati të gjatë, është vendosur që Oda e Mjekëve të Kosovës është e gatshme t’i pranojë të gjitha kompetencat e jo gjysmën e tyre të cilën e ofron Ministria e Shëndetësisë.
“Kompetencat që i ofron Ministria e Shëndetësisë janë: Edukimi i vazhdueshëm profesional dhe Këshillin Etik, ndërsa i ndalë për veti licencimet dhe specializimet me ç’rast bën shkelje ligjore, përkatësisht Nenin 9, pika 1.3 dhe pika 1.7 si dhe Nenin 35, pika 1.2 dhe 1.3 të Ligjit për odat e profesionistëve shëndetësor”, thuhet në njoftim.
Më tej nga njoftimi bëhet e ditur se gjer më sot nuk i ka përmbushur detyrimet të cilat i kanë takuar me ligj siç është krijimi zyrës administrative, përkundër faktit që ligji është miratuar me 30.05.2013 . Kjo zyrë është dashur të krijohet menjëherë pas formimit të organeve të Odës në mënyrë që organet e saj të funksionojnë ashtu si duhet.
“Ministria e Shëndetësisë jo që nuk e ka ndihmuar Odën e mjekëve por përkundrazi me sulme të vazhdueshme verbale dhe mospërmbushjen e detyrimeve me ligj i ka dëmtuar proceset e saja”, thuhet më tej në njoftim.