Oda e Mjekëve të Kosovës përmes një komunikate dërguar mediave ka sqaruar rrethanat e fundit të krijuara pas pezullimit të Ligjit për Paga nga Kushtetuesja, si dhe grevat e mbajtura sot.
Sipas Odës së Mjekëve, janë 60 mijë punëtorë shëndetësor, mesin e tyre 4 mijë mjekë të cilët kanë pritur rritjen e pagave, por pritjet e tyre kanë mbetur vetëm dëshirë, që sipas tyre është kthyer në poshtërim.
Duke përkrahur grevën e sotme, Oda e Mjekëve i ka bërë thirrje Kushtetueses që ta trajtojë me urgjencë rastin në fjalë, duke marrë parasysh edhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale.
Deklarata e plotë:
DEKLRATË PUBLIKE
13 dhjetor 2019
Prishtinë
Duke shprehur respektin dhe vlerësimin për institucionet kushtetuese dhe ligjore të sistemit shtetëror të Republikës së Kosovës, Oda e Mjekëve të Kosovës konsideron se kushtetueshmëria dhe ligjshmëria si dukuri shoqërore janë të njeriut dhe për njeriun. Njësoj edhe autoriteti i institucionit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka autoritet përfundimtar për vlerësimin e kushtetueshmërisë, shprehim pritjet tona që ky institucion do të vendos po ashtu edhe në raport me gjendjen ekonomiko-sociale, që është po ashtu abstrakt themelor i të drejtave të njeriut.
Janë për më se gjashtëdhjet mijë të punësuar në sektorin publik që kanë pasur pritjet e tyre legjitime lidhur me të ardhurat e tyre personale. Nga këta gjatështëdhjetë mijë të punësuar, janë katërmijë mjekë të cilët po ashtu së bashku me familjet e tyre i përjetojnë rëndë momentet kur pritjet e tyre mbesin vetëm dëshirë, më vonë për t’u kthyer në zhgënjim dhe poshtërim. Përkujtojmë që komuniteti mjekësor, përmes organizatave të tyre përfaqësuese, kanë dhënë kontributin maksimal gjatë përpilimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik. Ky kontribut është shquar edhe me kompromise dhe mirëkuptime në raport me gjendjen e përgjithshme ekonomike dhe sociale të vendit. Por mjekët nuk kanë bërë pazar me dinjitetin, por kanë shpalosur kërkesat e tyre legjitime dhe meritore karshi punës dhe rëndësisë shoqërore që kanë. Oda e Mjekëve të Kosovës me këtë rast shprehë solidarizimin e plotë me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, për të gjitha aktivitetet dhe veprimet sindikale të arsyeshme, përfshirë këtu edhe grevën si një nga mjetet e ligjshme të veprimit sindikal. Prandaj, duke marr parasysh mundësitë kushtetuese dhe ligjore, si dhe kapacitetet profesionale të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, kërkojmë që kërkesën e Avokatit të Popullit përkitazi me vlerësimin e kushtetueshmërisë të Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, ta trajtojë me urgjencë dhe përparësi ndaj të gjitha lëndëve të tjera, gjithnjë duke marr parasysh rrethanat dhe situatën e rëndë ekonomike, sociale dhe politike, e po ashtu pritjet legjitime të të punësuarëve në sektorin publik të Republikës së Kosovës.
Prishtinë, 13 dhjetor 2019
KËSHILLI DREJTUES I OMK-SË