Oda Ekonomike e Kosovës prezanton programin e Mësimit Dual 2024/2025: Mundësi për Bizneset dhe Nxënësit në Kosovë

Prishtinë | 27 Qer 2024 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) është në procesin e evidentimit të kompanive të gatshme për të marrë pjesë në Programin e Mësimit Dual për Vitin Shkollor 2024/2025. Ky program ofron një mundësi të shkëlqyer për kompanitë që të angazhohen në edukimin dhe trajnimin e nxënësve të shkollave profesionale, duke krijuar një urë të fortë midis teorisë dhe praktikës në fusha të ndryshme profesionale.

Programi i Mësimit Dual, i cili është duke u pilotuar me 12 profile në Kosovë (4 të reja nga energjia e ripërtrishme), synon të përgatisë të rinjtë për tregun e punës duke i pajisur ata me aftësi praktike të cilat janë të nevojshme dhe të kërkuara nga industria. Ky është një përfitim i dyfishtë: nxënësit fitojnë përvojë të drejtpërdrejtë në ambiente të vërteta pune, ndërsa kompanitë kanë mundësinë të trajnojnë dhe të zhvillojnë profesionistë të rinj sipas nevojave dhe standardeve të tyre specifike.

Kompanitë që aplikojnë për të marrë pjesë në këtë program kanë fleksibilitetin të zgjedhin profilet dhe numrin e nxënësve që janë të gatshme t’i sistemojnë në ambientet e tyre, duke bashkëpunuar ngushtë me shkollat profesionale nga komuna apo rajoni i tyre. Ky bashkëpunim strategjik ndihmon bizneset të përgatisin fuqinë e punës të së ardhmes në përputhje me kërkesat specifike të tregut.

Profilet që mund të përzgjidhen janë të shumta dhe përfshijnë fusha të ndryshme profesionale, duke përfshirë:

Instalues elektrik
Metalpunues
Asistent i mikpritjes hoteliere (Kamarier, Recpcionist, Shankist, etj.)
Automekanikë
Estetikë
Floktar
Kuzhinier
Murator
Rrobaqepësi
Tregti me shumicë dhe pakicë
Zdrukthëtar
Instalues i ngrohjes dhe klimatizimit
Teknik i Energjisë Solare
Teknik i Energjisë së Erës
Teknik i biogazit
Teknik i Energjisë Efikase në Ndërtim
Për të qenë pjesë e këtij programi, kompanitë e interesuara mund të plotësojnë formularin e aplikimit duke klikuar në linkun e mëposhtëm: https://forms.gle/qx8EGGW3sMqFk4Ye7

Ky program është një mundësi e artë për të gjithë akterët e interesuar – nxënësit, bizneset dhe komunitetin në përgjithësi. Ai jo vetëm që kontribuon në përmirësimin e sistemit të arsimit profesional në vend, por edhe ndihmon në krijimin e një fuqie punëtore të kualifikuar dhe të adaptuar me nevojat aktuale të tregut të punës.

Për më shumë informata dhe për të aplikuar, ju lutemi vizitoni faqen e OEK ne facebook: https://www.facebook.com/photo/?fbid=867408415424247&set=a.288725446625883

Të ngjashme