Oda Tregtare Kosovare-Turke (OTKT) në Prishtinë ka shprehur mirënjohjen e vet të thellë “për përkrahjen gjithëpërfshirëse” që Kosova ia ka dhënë Turqisë dhe qytetarëve të saj, pas ngjarjeve të kohëve të fundit në Republikën e Turqisë.
Në selinë e OTKT-së është mbajtur mbledhja e parë e Bordit të ri të drejtorëve të dalë nga Kuvendi i Përgjithshëm i muajit qershor. Bordi i Drejtorëve të OTKT-së, i cili në përbërje thuhet se ka përfaqësues të investitorëve më të mëdhenj në Kosovë.
“Dënimi i ngjarjeve të ndera të datës 15 korrik nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Kosovës, si dhe nga institucionet tjera relevante të vendit, i ka dhënë përkrahje të madhe demokracisë në Turqi dhe popullit turk. Përkrahja e madhe të cilën opinioni publik ia dha kombit turk dëshmon edhe një herë lidhjet e ngushta ekonomike dhe shoqërore mes Kosovës dhe Turqisë”, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj ode.
“Oda Tregtare Kosovare-Turke, ngjashëm me tërë opinionin publik në Kosovë i ndihet e lumtur me faktin që demokracia, si garantuese e ekonomisë së tregut dhe tregtisë së lirë, që janë parakushte të zhvillimit dhe rritjes ekonomike, ka mbizotëruar. OTKT është e bindur se me unifikimin e të gjithë aktorëve relevantë, përfshirë popullin e Turqisë, Presidentin e Republikës së Turqisë, përfaqësuesit e sektorit privat, partitë politike, mediat e pavarura turke, dhe organizatat joqeveritare, kjo situatë do të
tejkalohet”.
Sipas OTKT-së, marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë vazhdojnë të përkrahen nga
institucionet relevante dhe përfaqësuesit e sektorit privat të të dyja vendeve, prandaj jemi të bindur se ato do të vazhdojnë përpjekjet për ta zhvilluar dhe avancuar edhe më tej miqësinë mes tyre dhe prosperitetin e të dyja vendeve.
“Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, OTKT do të vazhdojë të punojë në realizimin e misionit madhor të saj – në avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe veprimtarisë së përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke u zotuar për realizimin e aktiviteteve të parapara dhe implementimin e projekteve të reja”, thekson komunikata.