Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë (BMZ), në bashkëpunim me Odën e Zejtare në Dortmund (OZD) dhe Shkollën Profesionale “Shtjefën Gjeçovi” për herë të parë në Kosovë kanë organizuar praktikën profesionale „Bazat e përpunimit të metaleve dhe metodat e saldimit“, në të cilin janë trajnuar 10 nxënës të kësaj shkolle dhe dy pjesëmarrës të FSK-së, sipas arsimit dual i cili parashihet edhe në kurrikulën e arsimit dhe aftësimit profesional të Kosovës.
Kjo praktikë profesionale është mbajtur për pesë muaj me radhë dhe është realizuar në mjediset e shkollës “Shtjefën Gjeçovi” dhe në ndërmarrjet e ndryshme private, në bashkëpunim me trajnues gjermanë dhe kosovarë, sipas standardeve gjermane. Në fund pjesëmarrësit u pajisën me nga një vërtetim për pjesëmarrje të lëshuar nga Oda Zejtare e Dortmundit. Poashtu ndërmarrjet të cilat kanë marrë pjesë në praktikën profesionale u është ndarë nga një mirënjohje nga udhëheqësi i Projekteve të Partneritetit për Zhvillim Profesional, Franc Musolli.
Në fjalën e rastit gjatë kësaj ceremonie Anja Becky, sekretare e parë në Ambasadën Gjermane në Kosovë, tha se prej pas lufte e këndej Qeveria Gjermane ka qenë pjesë e shkollimit profesional në Kosovë, me idenë së përmes arsimit dual, këta të rinj do të gjinden shumë më lehtë në tregun e punës. “Ne e përkrahim sistemin e shkollimit dual, shkollë – ndërmarrje. Me shkollimin e gjeneratave të reja në profesione të ndryshme do të zbutet papunësia në Kosovë. Ne si qeveri i kemi dhënë si detyrë OZD-së, që ta përkrahë zhvillimin e profesioneve te caktuara në Kosovë”.
Ndërsa, eksperti kosovar Remzi Selimi, përveç që foli per metodat e trajnimit dhe vlerësimin që u është bërë nxënësve, nga ana teorike dhe praktike, tha se: “Ky projekt i trajnimit dual është shembulli më i mirë për të gjitha shkollat profesionale në Kosovë”.
Nxënësi Agron Mustafa tha: “Ka qenë një përvojë shumë e mirë jo vetëm për mua por për të gjithë pjesëmarrësit. Ketu kemi arritur që teorinë që e kemi mësuar në shkollë t´a praktikojmë nëpër ndërmarrje”.
Në emër të ndërmarrjeve dhe institucionit pjesëmarrës, FSK, u falenderua Gjeneral Brigade, zëvendëskomandanti i Komandës së Trupave Tokësore në FSK, Gëzim Hazrolli, i cili e vlerësoj shumë të mirëseardhur këtë masë praktike profesionale për pjesëtarët e FSK-s. Ai premtoi bashkëpunim të ngushtë dhe të hapur në të ardhmen me institucionin e Odës Zejtare të Dortmundit.
Përveç udhëheqësit të Projekteve të Partneritetit për Zhvillim Profesional, Franc Musolli, në këtë ceremoni morën pjesë edhe u.d. drejtoresha e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional në MASHT, Fikrije Zymberi, drejtori i Shkollës Profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, Faik Saliu, mësimdhënësit, pjesëtarët e FSK-së, ndërsa KFOR-in gjerman u përfaqësua nga Kolonel Armin Dausch, dhe Majori Stefan Stieber, dhe përfaqësues të institucioneve tjera.