Odat Ekonomike kritikojnë mosratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, kanë kritikuar skenën politike në Kosovë për mosratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare që Kosovës pritet t’ia sjellin rreth 300 milionë euro.

Sipas tyre, mosuniteti politik në vend vetëm i është shtuar si problem krizës ekonomike me të cilën po përballet Kosova.

“Krizat ekonomike janë gjithmonë me pasoja. Kur ka krizë ekonomike atëherë vjen roli i shtetit, qeverisë që të hyjë me masa të caktuara. Kësaj here kemi krizë që s’është parë. E para sepse vjen në një kohë kur të gjithë indikatorët ekonomikë po ecnin mirë. Kur filloi pandemia gjithçka lëvizi. Edhe në Kosovë duke pasur një cikël sado pak optimist, për periudhë të shkurtër u ballafaquam me atë që s’e kemi pas kurrë problem, me rritjen ekonomike, me uljen e importit, që nënkuptonte ulje të fuqisë blerëse dhe të prodhimit, me ulje të të hyrave buxhetore. Për çdo vend u bë më e vështirë sepse ishte ballafaqim me dy prioritete, e vendime jo të lehta, a të shpëtohet ekonomia apo shëndeti. Normalisht s’ka dilema se shëndeti është primar, por ka qenë situatë e panjohur. Kemi model të paqëndrueshëm të rritjes ekonomike. S’po na mundësohet të ketë vende pune e kemi varësi të madhe nga sektori publik dhe diaspora. Kësaj situate ia kemi shtuar edhe një problem. Ra qeveria në kohë pandemie, automatikisht kufizoi veprimet në përkrahje të qeverisë. Erdhi një qeveri e në të njëjtën kohë pati agjendë jashtëzakonisht të ngjeshur politike, dialogu e tash edhe gjykata speciale. Të gjitha këto në një vend me resurse të mëdha do të ishte problem e lëre më te ne”, ka thënë fillimisht Rukiqi në Deskun e KOHËS.

Sipas tij, kriza ekonomike do të sjellë pasoja afatgjate në Kosovë.

“Ka shumë akterë që duhet të involvohen për shpëtim të ekonomisë. Duhet të kalohen marrëveshjet ndërkombëtare, të shohim që shpëtimi i ekonomisë s’është interes politik, as pjesë e politikave programore të partive, por është interes shtetëror. Në fund, edhe pse s’po e dimë kur mund të përfundojë pandemia, pasojat afatgjata do t’i kemi ekonomike. Kur të ndikojnë në mirëqenie do të kemi cikël të ri të migrimit e të moszhvillimit ekonomik. Probleme afatgjate. Akterët që duhet të shpëtojnë ekonominë janë ata që marrin vendime. Roli primar është i qeverisë, që t’ia japë drejtimin e duhur, kah po do ta çojë buxhetin”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Zeka ka thënë se mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve përbën disa mesazhe të këqija, për ekonominë në Kosovë.

“Mosmiratimi i marrëveshjeve që do të duhej të përbënin burim të rëndësishëm të financimit dhe pasi që disa masa kanë mbetur të pazbatuara nga Pakoja Emergjente, çon mesazh të keq te ndërmarrësit dhe punonjësit të afektuar që kanë pritur ndihmën e shtetit. Qe 12 vjet shtet i pavarur e s’kemi pas nevojë si sektor privat për ndihmën e shtetit, një herë po i afrohet mundësia shtetit, tek e fundit kjo është arsyeja pse ekzistojnë, që të mobilizojë të gjitha burimet e tyre në mbështetje të ndërmarrjeve dhe ruajtjes së vendeve të punës. Tash institucionet shfrytëzojnë momentin të ngrenë flamujt partiakë e të bëjnë politikë në rrethanat kur duhet të shihnim konsensus së paku për çështjet ekonomike. Jemi vonë, kemi Pakon Emergjente Fiskale masat e së cilës mbesin të pazbatuara. Sinjali i keq në aspektin e konfidencës dhe të brendshëm, por për jashtë disa prej marrëveshjeve ka kohë që janë negociuar e kanë pritur qe kohë të gjatë. Ky është mesazhi i dytë i keq, i seriozitetit dhe mënyrës se si qeveriset dhe konsistencës së paku në qeverisjen ekonomike. Pra s’kemi konsistencë, dhe legjislativi s’është në gjendje të aprovojë marrëveshje që janë negociuar nga institucionet e vlefshme apo legjitime”, ka deklaruar Zeka.

Të ngjashme