Me diskutimin e rolit të komunave në zhvillimin e ekosistemit të ndërmarrësisë janë përmbyllur aktivitetet e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë që organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se komunat kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikave dhe ekosistemit të ndërmarrësisë, duke theksuar heqjen e barrierave të të bërit biznes në nivel lokal, të shërbyerit si avokues të bizneseve lokale pranë institucioneve qendrore, por edhe përmes ndarjes së fondeve për nxitje të ndërmarrësisë, e cila mes tjerash do të shërbente edhe si motivues për qëndrimin e të rinjve brenda Kosovës. Ai foli edhe për rolin e vyeshëm të Qendrës së Inovacionit (ICK) në mbështetje të ndërmarrësve të rinj, duke theksuar se aktivitetet e kësaj organizate kanë marrë edhe jehonë pozitive anembanë botës.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se për zhvillimin ekonomik në nivel lokal brenda kësaj komune janë identifikuar fushat ku Prizreni ka përparësi strategjike, siç është turizmi, prodhimtaria, bujqësia dhe shërbimet kreative. Tutje, ai foli për rëndësinë e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, si dhe potencialin që ka kjo zonë në nxitjen e ndërmarrësisë së të rinjve por edhe investimeve në përgjithësi. Kryetari Haskuka foli edhe për funksionalizimin e qendrës së vetme të shërbimeve ‘one-stop-shop’ me qëllim të lehtësimit të të bërit biznes. Ndërsa duke folur për kapitalin njerëzor, Haskuka i këshilloi të njëjtit të zhvillojnë aftësitë profesionale sipas nevojave të tregut.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmendi planin strategjik të kësaj komune për zhvillim socio-ekonomik, i cili në fokus ka ndërmarrësinë dhe rritjen e punësimit të grave. Ai gjithashtu foli për strukturën dhe zhvillimin e bizneseve në këtë komunë, duke theksuar politikën e ‘tarifës zero’ përmes të cilës janë ulur të gjitha taksat përveç tatimit në pronë, gjë që krijon një lehtësim të madh për veprimtaritë e bizneseve lokale. Kryetari Haziri theksoi se gjatë pandemisë por edhe më tej, të rinjtë e Gjilanit do të mbështeten në sektorë si ai i teknologjisë e zejtarisë ndërsa shtoi se po punohet edhe rreth riaktivizimit të inkubatorit të biznesit dhe zhvillimit të zonave ekonomike brenda kësaj komune. Haziri tha se po punohet rreth eliminimit të procedurave burokratike administrative, ndërsa sipas tij, është e rëndësishme që të rritet atraktiviteti i vendit për të rinjtë, dhe krijimi i mundësive dhe lehtësirave për investime në Kosovë.
Shpend Lila, menaxher i trajnimeve, marrëdhënieve me publikun dhe aktiviteteve në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), theks të veçantë i dha nevojës për krijimin e hapësirave rekreative, multifunksionale, të qasshme për publikun e gjerë për zhvillimin e aktiviteteve të natyrës së ndërmarrësisë dhe inovacionit. Lila gjithashtu shprehu shqetësimin për shuarjen e Ministrisë së Inovacionit, e cila do të shërbente si një adrese e vetme për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe bizneseve startup, ndërsa për të siguruar zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe promovim të sektorëve me potencial, ai rekomandoi krijimin e inkubatorëve specifik sipas profileve të komunave, në mënyrë që të decentralizohet fokusi në kryeqytet dhe zhvillimi të jetë i barabartë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shënuar Javën Globale të Ndërmarrësisë me gjithsejtë 16 aktivitete virtuale në të cilat kanë marrë pjesë rreth 50 panelistë dhe me një audiencë prej rreth 40,000 personash, ndërsa temat e diskutimeve kanë përfshirë edukimin, gjithëpërfshirjen, politikat dhe ekosistemin e ndërmarrësisë. Një numër aktivitetesh janë organizuar në partneritet me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Agjencinë për Zhvillimin Rajonal – Qendër (RDAC) dhe Kolegjin AAB.