OEAK: Pengesat në tregtinë e lirë cenojnë prospektet e zhvillimit ekonomik të Kosovës

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj se tregtia e lirë është faktor i rëndësishëm në të mundësuarit e rritjes ekonomike, ndërsa çfarëdo pengese në lëvizjen e lirë të mallrave mund të cenojë prospektet e rritjes ekonomike dhe nxitjes së investimeve.

Në pajtim me misionin e saj të mbështetjes së zhvillimit të raporteve reciproke ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, Oda Amerikane beson se pengesat në tregtinë rajonale vështirësojnë operacionet e bizneseve amerikane në rajon, si dhe e bëjnë Kosovën më pak atraktive për investitorët amerikanë dhe të huaj.

Investitorët amerikanë synojnë të investojnë në shtete të cilat mundësojnë qasje të papenguar në tregje më të mëdha, dhe të cilat vazhdimisht promovojnë derregullimin e tregjeve dhe lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitalit.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane konsideron se Kosova duhet të përmbushë këto pritshmëri për të përshpejtuar zhvillimin e saj ekonomik, si dhe për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj.

Të ngjashme