Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi pasi që i njëjti është tejet i dëmshëm si për qytetarët ashtu edhe për bizneset ku pagesa e regjistrimit të veturës shkon deri në 100% të vlerës fillestare.
OAK është duke pranuar në vazhdimësi ankesa nga bizneset lidhur me Udhëzimin e ri mbi implementimin e sistemit bonus- malus për persona juridik dhe persona fizik të miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës e cila ka hyrë në fuqi me 01 nëntor 2020.
OAK kërkon nga Banka Qendrore e Kosovës që ky Udhëzim të kthehet në gjendjen e mëparshme në mënyrë që të merren parasysh edhe kërkesat dhe shqetësimet e komunitetit të biznesit.
Sipas Udhëzimit të ri, bizneset obligohen që të paguajnë 10 ditë para skadimit të sigurimit të regjistrimit të automjetit të vitit paraprak për vitin e ardhshëm në mënyrë që të fitojnë një shkallë bonus në rastet kur nuk ka aksident ose dëm të deklaruar. Kurse në rastet kur automjeti nuk regjistrohet nga 1 deri në 15 ditë nga dita e skadimit të reagjistrimit atëherë nuk do të ketë bonuse.
Kështu që shkalla bonus-malus do të mbetet e njëjtë edhe pse për atë automjet nuk ka dëme të deklaruara apo i njëjti nuk ka pasur aksidente.
Ndërsa në rast të vonesës në vazhdim të sigurimit në afat prej 15 ditë, automjetet të cilat janë të regjistruara në emër të bizneseve direkt zhvendosen në shkallën bazë.
Udhëzimi i miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës ka hyrë në fuqi pikërisht në kohën kur situata financiare e qytetarëve dhe vetë bizneseve është shumë e vështirë si pasojë e pandemisë COVID19, ku kemi me qindra biznese të falimentuara apo duke falimentuar dhe dhjetëra mijëra vende pune të humbura.
Ky Udhëzim i miratuar nga Banka Qendrore i dëmton edhe qytetarët që çdo ditë e më shumë po përballen me varfëri ekstreme.
Sipas Udhëzimit i cili ka qenë në fuqi deri më 1 nëntor të këtij viti në qoftëse sigurimi është ndërprerë pas kalimit të periudhës së vëzhgimit në të cilën nuk është deklaruar dëm automjetet e bizneseve kanë pasur të drejtë për një shkallë premie më të ulët në rast se ndërprerja nuk ka zgjatur më tepër se 3 vite.
Udhëzimi i miratuar nga BQK-ja ka ardhur pa asnjë konsultim paraprak me palët e interesit ku me këtë rast palët e afektuara drejtpërsëdrejti nga ky vendim nuk kanë qenë të njoftuara dhe janë dëmtuar si pasojë e mungesës së informacionit.