Ish-drejtori i Doganës, Lulzim Rafuna, sot është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Pas rezultateve, kandidatja tjetër, Erëza Vela, reagoi duke thënë se sot u votuan parti politike e jo individ.
Në një postim në Facebook, Vela ka thënë se arma e saj në garën për kryetar të OEK-ut ka qenë “përvoja profesionale, përvoja në biznes, përvoja akademike dhe një plan supervizionar”, por sipas saj, bizneset e OEK nuk i kanë pasur këto kritere që ta vlerësojnë kryetarin.
Vela tha se sot u votuan parti politike, jo individ.
“Ata sot votuan parti politike, jo individ. Koha ka me e deshmu qe Lulzim Rafuna ka qene zgjidhja e gabuar”, ka shkruar ajo.
Përveç Rafunës e Velës, kandidat për kryetar të Odës ka qenë edhe Ruzhdi Kurtishaj, ndërsa kryetari i vjetër, Berat Rrukiqi vendosi që mos të garojë më për këtë post.