Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar ndaj fushatës së organeve të rendit dhe ligjit ndaj sektorit të gastronomisë dhe hotelerisë.
Reagimi i plotë:
Aksionet e organizuar (rastet e mbrëmjes së kaluar), nga organet e rendit dhe ligjit, me pretekstin e vendosjes së rendit, pa asnjë procedure të qartë dhe pa asnjë paralajmërim, në pjesën derrmuese të bizneseve të gastronomisë dhe hotelerisë, janë të pashembullta, të pabazuara dhe nuk janë rruga e duhur as për vendosje të rendit dhe qetesisë, e as për adresim të duhur të shqetësimeve të mundshme nga qytetarët.
Ky lloj i fushatave, të cilat ndërmerren me procedura dhe direktiva ad-hoc, përveç dëmeve në sektorin e biznesit të gastronomsië dhe hotelerisë, e përqojnë mesazhin e mungesës së sigurisë juridike, për të bërë biznes dhe investime në Kosovë;
Rregullimi i këtij sektori dhe sektorëve të tjerë, kërkon dialog publiko-privat, si dhe proces të ndryshimeve ligjore, konform rrethanave të reja qe mund të krijohen në shoqeri dhe treg, gjithënjë duke balancuar interesat publike dhe private. Qasja arbitrare dhe e njëanshme, na sjell në situata që rrisin informalitetin në treg dhe mundesinë për rritje të keqpërdorimeve nga zyrtarët publik;
Sektori i gastronomisë dhe hotelerisë, si nje ndër sektorët me rritjen më të shpejtë, me numër të madh të vetëpunësimeve dhe të vendeve të punës për të rinj, ka rendësi të veçantë ekonomike për vendin, edhe për faktin e ndikimit te jashtëzakonshëm në promovimin e imazhit të vendit. Institucionet qeverisëse, nuk kanë arritur që ta përcjellin këtë trend të rritjes, me ndryshime ligjore të nevojshme, të cilat mundesojnë përkrahjen e mëtutjeshme për zhvillim të këtij sektori;
Oda Ekonomike e Kosovës, së bashku me anëtaresinë nga ky sektor, të organizuar përmes Shoqatës së Gastronomeve, do të koordinojnë përpjekjet për mbrojtje të sektorit nga arbitrariteti i organeve shtetërore dhe për të siguruar rregullim ligjor, për këtë sektor, konform rrethanave të reja, rëndesisë ekonomike që ka ky sektor dhe interesave të qytetarëve. Në takimin e rradhës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim ekonomik, do të propozojmë rekomandimet e qarta për rregullimin, përkrahjen dhe fuqizimin e këtij sektori.