Me ftesë të Eurochambres dhe Parlamentit Evropian, Oda Ekonomike e Kosovës po merr pjesë për herë të parë, si anëtare e barabartë dhe më të drejtë vote, në edicionin vjetor të Parlamentit Evropian të Ndërmarrësve, një ndër iniciativat me të rëndësishme të bashkimit të të gjitha ndërmarrjeve të 40 shteteve të kontinentit evropian dhe pozicionimit të tyre karshi politikave nacionale dhe atyre të Bashkimit Evropian, me ndikim në rritjen e sektorit privat dhe zhvillimin ekonomik.
Delegacioni i udhëhequr nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në emër të rreth 16,000 anëtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës kanë paraqitur qëndrimet e tyre në raport me sfidat e ndërmarrësisë kosovare, përfshirë edhe absurditetin e pa mundësisë për lëvizje pa viza në zonën Shengen, gjë që ka penguar edhe shumë ndërmarrës nga Kosova të bashkëngjiten për të qenë të përfaqësuar në punimet e Parlamentit Evropian të Ndërmarrësve.
Punimet e kësaj iniciative të rëndësishme evropiane, ishin mundësi e mirë edhe për takime bilaterale me vendet tjera pjesëmarrëse, me të cilat u diskutuan mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, por në rastet e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën me fokus specifik u diskutua mundësia e shfrytëzimit të bashkëpunimit në mes ndërmarrësve, si një nga mundësitë që mund të lehtësojë procesin e njohjes.
Në margjina të Parlamentit Evropian të Ndërmarrësve u zhvillua Konferenca mbi Sfidat e Zgjerimit të Bashkimit Evropian” e organizuar nga Eurochambres. Në këtë konferencë, në cilësinë e njërit ndër panelistëve kryesorë, kryetari Gerxhaliu, në emër të komunitetit të biznesit Kosovar, prezantoj sfidat zhvillimore me të cilat ballafaqohet Kosova. Gjithashtu me theks të veçantë shprehu brengën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në raport me qasjen gjithnjë me të shprehur të shumë vendeve të Bashkimit Evropian të cilat si përgjigje ndaj migrimit kërkojnë kufizimin e lëvizjes së lirë dhe ngadalësimin e procesit të zgjerimit.
Sipas Gerxhaliut kjo qasje është e gabueshme pasi që pikërisht perspektiva evropiane është shtylla kryesore e paqes në Ballkan dhe në çdo rast rrezikimi I paqes në Ballkan, nga humbja e perspektivës evropiane është me efekte katastrofale për tërë Evropën dhe burim i migrimit dhe rrezikimit të sigurisë për tërë kontinentin evropian.
Gjithashtu si pjesë e rëndësishme e qëndrimit në Bruksel ishin edhe takimet e menaxhmentit të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Ambasadës së Kosovës ne Bruksel, me udhëheqësit e Federatës së Odave Ekonomike Belge dhe Odës Ekonomike të Flandrisë, me te cilët u harmonizuan aktivitetet potenciale për të ardhmen, përmes të cilave mëtohet të rritet bashkëpunimi ekonomik me Belgjikën dhe rritja e investime të kompanive belge në Kosovë.