Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpresin vendimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për ndryshimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut, përmes të cilit bëhet e mundur zgjatja e afatit të kalimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin e tensionit 35kV deri më me 31 mars 2020.
OEK dhe OEAK shprehin konsideratën e tyre edhe për anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, për rekomandimin e tyre drejtuar ZRRE-së në mbështetje të kërkesave të komunitetit të biznesit, si dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës për mundësim të dialogut ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Vendimi i Bordit të ZRRE-së do të duhej të mundësonte përgatitje më të mirë edhe për konsumatorët, por edhe për furnizuesit e energjisë elektrike, për liberalizim të tregut.
Në të njëjtën kohë, OEK dhe OEAK i kërkojnë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të rishikojë edhe kufizimet për vetëkonsum të energjisë elektrike, duke besuar se heqja e kufizimeve në këtë drejtim, do të nxiste investimet e bizneseve në burime alternative të gjenerimit të energjisë elektrike, si dhe në rritjen e efiçencës energjetike në përgjithësi.