OEK: Vendimi i ZRRE-së për shkëputjen e bizneseve nga rrjeti energjetik është skandaloz

Prishtinë | 13 Gus 2025 | 15:52 | Nga Diellza Gashi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, e cilësoi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që nga 16 gushti të shkëputen nga rrjeti energjetik të gjitha bizneset që nuk kanë kontrata me furnizues të licencuar si kërcënim dhe skandal për ekonominë e vendit.

Ai në intervistë për Ekonomia Online kërkoi nga ZRRE-ja që të mos ndërmarrë hapa të tillë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.

“Është kërcënimi i radhës nga ZRRE-ja. Kërcënimin e parë e kishim më 1 qershor, të dytin më 30 korrik dhe ky është kërcënimi i radhës. Në kushte normale, ZRRE-ja është dashur të rregullojë tregun dhe biznesi me vullnetin e vet të dalë në tregun e lirë, por fatkeqësia është kjo që është.
Ne i bëjmë thirrje ZRRE-së që të jetë e matur dhe të mos ndërmarrë veprime të ndalë energjinë elektrike, sepse do të ishte skandal për ekonominë e Kosovës. Ne si OEK vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale e kemi pranuar dhe nuk e komentojmë, por do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat që kemi në dispozicion për t’u ankuar dhe të shkojmë në shkallë tutje, në Gjykatën Supreme. Deri në Gjykatën Kushtetuese nuk do të ndalemi”, tha Rafuna.

Ai tha se Gjykata Komerciale nuk ka vendosur ende për çështjen kryesore, por vetëm ka hequr masën e përkohshme.

“Nuk është vendosur çështja meritore, thelbi i ankesës, por është vendosur sa i përket masës së jashtëzakonshme. Shkalla e parë e Gjykatës Komerciale e ka anuluar njoftimin e ZRRE-së dhe e ka shpallur të kundërligjshëm. Shkalla e dytë e ka shfuqizuar masën e përkohshme që e ka vendosur Gjykata Komerciale, mirëpo ende nuk është vendosur mbi objektin e ankesës së bizneseve. I bëjmë thirrje ZRRE-së të presim derisa të vendosin mbi thelbin definitiv, të ulemi së bashku të gjithë, t’i bashkërendojmë aktivitetet, kohën dhe të caktojmë momentumin më të mirë të bizneseve për të dalë në tregun e lirë. Në këtë mënyrë e ruajmë biznesin, ekonominë e vendit dhe mbrojmë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Rafuna përmendi të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), duke thënë se rritja ekonomike ka rënë në nivelin e vitit 2015, ndërsa parashikohet të përmbyllet me vetëm 4 për qind në fund të vitit.

“Qytetari i Kosovës do të paguajë më shumë, jo vetëm për energjinë, por edhe për shërbimet dhe produktet e konsumit, përfshirë faturat e ujit dhe të mbeturinave”, tha Rafuna.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës vë në dukje pasoja zinxhirore për konsumatorin dhe ekonominë në tërësi.

“Ne do të shohim vendimin e ZRRE-së dhe më pas do të ulemi me bizneset, shoqatat e tjera dhe do të vendosim për hapat e tjerë të gjithë së bashku. Ky është vendim skandaloz, i vetmi vendim që nuk e kanë merituar bizneset e Kosovës. Ky vendim nuk e prek vetëm produktin kosovar, por e ul ekonominë. Sipas të dhënave të BQK-së në vitin 2015-2016 kemi pasur rritjen ekonomike 5.9 për qind. Jemi në nivelin e vitit 2015. Sipas trendit në fundvit do ta përmbyllim 4 për qind. Qytetari i Kosovës si konsumator do të paguajë edhe shërbimin, edhe produktin më shtrenjtë, por edhe shërbimet komunale do t’i paguajë më shtrenjtë. Faturat e ujit, mbeturinave do të shkojnë shumë më shtrenjtë”, tha për Ekonomia Online, Rafuna.

Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës ka njoftuar sot se të gjitha ato biznese, të cilat nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale ende me një nga furnizuesit e licencuar nga ZRRE-ja, do të shkëputen nga rrjeti energjetik nga 16 gushti.

“Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet nga gjykatat kompetente, së fundi edhe nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Të ngjashme