Organizata e Fëmijëve pa Përkujdesje Prindërore (OFAP) ka organizuar një konferencë përmbyllëse për të falënderuar Komunën e Ferizajt dhe të gjithë aktorët e tjerë që kanë kontribuar në hartimin e rregullores për të drejtat e fëmijëve, e cila është bërë fuqiplotë para dy muajve nga Kuvendi Komunal i Ferizajt.
Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, ka thënë me këtë rast se investimi për një fëmijëri të mbarë është i domosdoshëm ngase është një garanci për të ardhmen e ndritur të tyre.
“Vërtet jam i gëzuar që kemi ardhur në këtë takim me një rezultat konkret si fryt i bashkëpunimit tonë në të mirë të fëmijëve. Puna jonë e sotme është një hap i mirë drejt një të ardhmeje më të ndritur për fëmijët tanë dhe legjislacioni që kemi hartuar. Nuk do të mungojë angazhimi ynë që edhe në të ardhmen të kemi rezultate të tilla dhe punë në dobi të fëmijëve dhe të gjithë atyre që janë lidhur ngushtë me kujdesin dhe mirëqenien që duhet ofruar fëmijëve”, deklaroi Ferati.
Ndërkaq një falënderim për kujdesin e treguar me rastin e miratimit të këtij dokumenti të rëndësishëm e ka shfaqur edhe drejtoresha e OFAP, Ibadete Krasniqi.
Ajo ka thënë se rritja e kontributit të shoqërisë për këtë kategori do të jetë edhe përmirësimi i jetës së fëmijëve pa përkujdesje.
Kohë më parë është bërë e ditur nga Qendra për Punë Sociale e Ferizajt se numri i fëmijëve pa përkujdesje prindërore të cilët janë të strehuar në familjet biologjike dhe jobiologjike është rreth 40, kurse rritja e shumës financiare në baza mujore për këto kategori muajve të fundit është thënë se do të rris edhe konkurrencën që familjet më të mira të përfitojnë edhe të drejtën për t’u kujdesur për këta fëmijë.