Forcat izraelite vazhduan sulmet ndaj Gazës ndërkohë që zyrtarët e Izraelit paralajmëruan se ofensiva mund të vazhdojë me javë apo muaj përkundër thirrjeve globale për armëpushim dhe izolimit në rritje të Izraelit dhe aleatit të tij kryesor, Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët izraelitë thanë se do të ndërmarrin gjithë masat e duhura për shkatërrimin e Hamasit, por Izraeli nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Gazë.
Sulmet izraelite, që shkatërruan pothuaj plotësisht pjesën veriore të Gazës, lanë 18,000 të vrarë dhe zhvendosen rreth 80 për qind të popullatës së Rripit të Gazës, vazhduan edhe gjatë ditës së martë në pjesën jugore të enklavës. Në qytetin kufitar Rafah, një zonë e miratuar për strehim të civilëve, ndërtesa banimi u rrafshuan nga sulmet ajrore izraelite, duke lënë të paktën 23 të vdekur.
Tre fëmijët e Islam Harbit u vranë në këtë sulm ndërkohë që po strehoheshin në shtëpinë e tyre me nëntë refugjatë të tjerë.
“Katër shtëpi u bombarduan me tre raketa të hedhura nga aeroplanët F16. Nëntë të zhvendosur nga pjesët tjera të Gazës dhe vajzat e mia binjake Maria e Jude u vranë, edhe djali im i vogël Ammar u vra,” tha ai.
Në pjesën qendrore të Gazës, spitali Al-Aqsa ka konfirmuar 33 viktima nga sulmet ajrore ndaj ndërtesave pranë kampit të refugjatëve Maghazi, në mesin e të cilëve 16 gra dhe katër fëmijë.
Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara sot pritet të votojë një rezolutë jo-të detyrueshme që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar, që palestinezët shpresojnë do të dëshmojë përkrahjen e gjerë botërore në favor të përfundimit të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që tashmë ka hyrë në muajin e tretë.
“Mesazhet e Asamblesë janë gjithashtu shumë të rëndësishme dhe reflektojnë opinionin e botës,” deklaroi zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një gjest simbolik, që vjen pas kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të rezolutës së mëparshme me peshë ligjore për armëpushim.
Sipas Ministrit izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, kjo fazë e ofensivës me luftime e ashpra tokësore dhe sulme ajrore mund të zgjasë me javë, ndërkohë që paralajmëroi që ushtria izraelite do të vazhdojë aktivitetet ushtarake me muaj në Gazë.
“Izraeli do të ndërmarrë të gjitha masat për të shkatërruar Hamasin, por ne nuk synojmë të qëndrojmë përgjithmonë në Rripin e Gazës. Po kujdesemi për sigurinë tonë dhe të qytetarëve tanë përgjatë kufijve me Gazën,” deklaroi ministri izraelit Gallant.
Izraeli dhe SHBA-të thonë se armëpushimi i mundëson Hamasit, organizatës së shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, të mbetet në pushtet në Gazë, që do të ishte një fitore për grupin militant që synon shkatërrimin e Izraelit dhe që ekspertët konsiderojnë se ka një bazë të thellë të mbështetjes te palestinezët në Gazë dhe Bregun e pushtuar Perëndimor./ VOA