Koalicioni PAN ka vetëm 33 emra të rinj në listën për deputetë në raport me zgjedhjet e 2014-ës.
Koalicioni PDK-AAK-Nisma ka më së paku emra të rinj në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 11 qershorit.
Vetëm 33 emra nga 110 kandidatë nuk ishin në listat e zgjedhjeve të 2014-ës.
Ky koalicion përbëhet prej tri partive parlamentare të legjislaturës së kaluar dhe shumë subjekte tjera të vogla.
PDK me partitë e tjera të vogla në listën prej 110 kandidatësh ka futur 55 kandidatë, AAK 40 kandidatë dhe Nisma për Kosovën 15 kandidatë.
Nga 55 emra të propozuar për deputetë nga PDK-ja, 39 prej tyre janë të njëjtë me listën e deputetëve nga viti 2014, ndërsa vetëm 16 janë të rinj, ku veçohen disa emra që vijnë prej familjeve të cilat kanë qenë pjesë e strukturave të PDK-së.
Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku, Evgjeni Dragusha-Thaçi, mbesa e Hashim Thaçit ish-kryetarit të PDK-së, tani President, Beatrisa Demiri, motra e zyrtarit të vrarë të PDK-së, Elvis Pistës si dhe Andin Hoti, djali i veprimtarit të njohur dhe të burgosurit politik Ukshin Hoti janë disa nga fytyrat e reja të PDK-së në këtë garë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga 40 emra që i ka në listën e koalicionit, i ka të rinj vetëm 11, në raport me zgjedhjet e 2014-ës. Halil Matoshi, Rasim Selmanaj, Elmaze Nura, Diellza Hoti, Muharrem Nitaj, janë “të rinjtë” e AAK-së.
Nisma për Kosovën prezantohet në këtë koalicion me 15 kandidatë për deputetë, ku 4 prej tyre janë emra të rinj- Milam Zeka, Besim Shyti, Violeta Dema dhe Manuella Koni.
Koalicioni tjetër LDK-AKR-Alternativa ka 61 emra të rinj në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit.
Alternativa, përveç Ilir Dedës e Mimoza Kusari-Lilës që më herët janë përfshirë në politikë, kandidatët tjerë i ka të rinj, pasi edhe ky subjekt u formua pak para zgjedhjeve.
Aleanca Kosova e Re në garën për deputetë ka hyrë me 16 emra të rinj, në krahasim me zgjedhjet e fundit të 2014-ës. Këngëtari Labinot Tahiri është njëra nga risitë e AKR-së.
Lëvizja për Drejtësi e cila u nda nga Partia e Drejtësisë ka hyrë me 5 kandidatë të rinj.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka 30 emra të rinj në raport me zgjedhjet e vitit 2014, duke përfshirë këtu Lumir Abdixhikun, Driton Selmanajn, Sokol Havollin, Faton Pecin, etj.
Partia e cila hyri e vetme në këtë garë, Vetëvendosje, ka plot 75 emra të rinj në krahasim me zgjedhjet e fundit.
Disa nga “të rinjtë” në Listën e “Vetëvendosjes” janë: Shpend Ahmeti, Dardan Molliqaj, Donika Kadaj-Bujupi, Dukagjin Gorani, Xhavit Drenori, Hysen Durmishi etj.
Sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa nesër do të ketë heshtje zgjedhore.
Këto zgjedhje u caktuan nga Presidenti Hashim Thaçi, pasi Kuvendi rrëzoi qeverinë më 10 maj.
Pretendentë për të dalë të parët në këto zgjedhje dhe për të formuar pastaj institucionet në bazë të vullnetit të votuesve janë dy koalicione dhe një parti politike.(Kallxo.com)