Disa qindra tërmete për vetëm disa ditë i lëkundën banorët e Ohrit dhe Strugës. Të martën sërish u dridh toka, në orët e hershme të mëngjesit, përkatësisht në orën 01:52 minuta.
Disa ishin me intensitet më të dobët , e disa më të fortë. Sizmologët shprehen se numri më i madh i tërmeteve ka qenë i dobët, por kanë qenë me një numër jashtëzakonisht të madh.
Kjo është një javë jashtëzakonisht aktive dhe kishte rreth 500 tërmete të cilët kanë të bëjnë me aktivitetin e tri çarjeve nga rajoni epiqendror i Ohrit– Dragana Çernih – Enti sizmologjik.
Vargu i tërmeteve në rajonin e Ohrit dhe Strugës filloi para 10 ditëve, përkatësisht më 18 qershor me një lëkundje prej 4.1 ballëve sipas Rihterit. Më pas vijuan edhe tërmete të tjera prej 3.6 deri në 3.9 ballë.
Këto tërmete janë rezultat i tre çarjeve të Petrinës dhe Peshtanit që gjenden në pjesën lindore të Ohrit. Këto janë çarje të thella me thellësi prej 1500 metrave dhe japin aktivitetet sizmik në këtë rajon– Dragana Çernih nga Enti sizmologjik.
Tërmetet e shpeshta që ndodhën ditëve të fundit shkaktojnë frikë te disa banorë. Me siguri se ndjenja nuk është e mirë. Njeriu ndjehet paksa i shqetësuar kur kjo bëhet e përditshme– tha një qytetar.
Për shkak të fillimit të sezonit turistik, hotelierët shprehen se deri tani mysafirët e huaj nuk kanë thënë se janë të brengosur për shkak të tërmeteve.
U krijua pak panik tek populli. Filloi më shpesh të ketë çdo të dytën ditë. Nga turistët nuk kemi ankesa por tek vendasit, fqinjët kishte panik, stres- tha pronari i një lokali.
Mbërritëm në Ohër, por nuk ndjemë asgjë. Asgjë nuk mund të na pengojë të vijmë këtu, po as tërmeti- tha një turist holandez. Shikuar historikisht, tërmeti më i fuqishëm i evidentuar në rajonin e Ohrit dhe Strugës ka ndodhur në vitin 1527 dhe ka pasur fuqi prej madje 6 ballë sipas shkallës së Rihterit.