Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës (Komisioni) ka vendosur të ndryshojë mënyrën e përzgjedhjes së Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi përmes ndryshimeve ligjore. Përzgjedhja e Komisionerit/es ka dështuar tri herë dhe ka çuar në tërheqjen e Ambasadës Britanike nga ky proces.
Në mënyrë unanime dhe me mbështetjen e të gjitha partive politike, komisioni synon të ndryshojë vetëm nenin 60 të Ligjit nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që rregullon procedurën e zgjedhjes së Komisionerit/es.
Sipas legjislacionit në fuqi, Komisioner/e mund të bëhet kandidati/ja që siguron 61 vota të deputetëve. Ligji aktual, me të drejtë detyron partitë politike që të arrijnë konsensus në përzgjedhjen e Komisionerit/es. Më konkretisht, komisioni ka propozuar që “gjatë përzgjedhjes së Komisionerit/es me votim të fshehtë në Kuvend, nëse kandidati/ja gjatë raundit të parë nuk i merr shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, atëherë gjatë votimit në raundin e dytë, të zgjidhet kandidati i cili merr numrin më të madh të votave.”
Me ndryshimet e propozuara ligjore, këtë pozitë mund ta fitojë kandidati/ja që arrin të sigurojë 31 vota, përkatësisht me mbështetjen e një partie politike. Nëse iniciativa jetësohet, i lë hapësirë një partie ta influencoj përzgjedhjen e komisionerit/es.
Bazuar në diskutimet e bëra nga anëtarët e komisionet, ne vërejmë që arsyetimi për ndryshimet e propozuara ligjore nuk bazohet në argumente të qëndrueshme që do të arsyetonin ndryshimin e ligjit. Pikësynimi kryesor duket të jetë kapja e mëtutjeshme e Agjencisë për Informim nga politika.
Ndryshimet ligjore priten të dërgohen në Kryesi të Kuvendit dhe Qeveri, përpara se të procedohen për miratim. Ne kërkojmë nga këto institucione që të mos e mbështesin këtë iniciativë. Partitë politike duhet të gjejnë konsensus politik që do të mundësojë përzgjedhjen e një kandidati/je të pavarur.
Koalicioni ad-hoc përbëhet nga: Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile(KCSF), Grupi për Studime Politike dhe Juridike(GLPS), Çohu, Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), Flutura Kusari, Instituti GAP dhe Instituti D4D.