Që nga nisja e sulmeve nga ushtria dhe budistët radikalë më 25 gusht, mbi 123 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se numri i muslimanëve të Arakanit që kanë arritur në Bangladesh duke ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve radikalë ka kaluar mbi 123 mijë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi në BBC, në një deklaratë nga zyrtarë të OKB-së është bërë e ditur se vetëm në 24 orët e fundit, edhe 35 mijë muslimanë të Arakanit kanë kaluar në Bangladesh.
Ndërkaq, që nga nisja e sulmeve nga ushtria dhe budistët radikalë më 25 gusht, mbi 123 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.
Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.
Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.