OKB: Mbi 800.000 njerëz mund të ikin nga Sudani

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se mbi 800.000 njerëz mund të largohen nga Sudani, derisa fraksionet ushtarake rivale luftojnë për pushtet.

Qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i luftimeve, më 15 prill, midis ushtrisë dhe një grupi paraushtarak, i njohur si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Të dyja palët kanë rënë dakord të dielën për të zgjatur armëpushimin për 72 orë, edhe pse raportohet për shkelje të vazhdueshme.

Zëvendësshefi i OKB-së për Çështje të Refugjatëve, Raouf Mazou, tha se agjencia e tij pret një eksod prej 815.000 njerëzish, përfshirë 580.000 sudanezë, si dhe refugjatë të huaj që tani jetojnë në atë vend.

Sipas tij, rreth 73.000 njerëz tashmë kanë lënë Sudanin.

Ministria e Shëndetësisë e Sudanit ka thënë se së paku 528 njerëz janë vrarë nga luftimet dhe 4.599 janë plagosur.

Kombet e Bashkuara kanë raportuar për një numër të ngjashëm viktimash, por kanë thënë se besojnë se numri real i tyre është shumë më i lartë.

Kush lufton?

Në njërën anë të konfliktit është gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, president i Qeverisë ushtarake të Sudanit dhe udhëheqës i ushtrisë, ndërsa kundërshtar i tij është gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, nënkryetar i Sudanit, i cili mbikëqyr Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Të dy ata akuzojnë njëri-tjetrin për të shtënat e para në përleshje.

Tensionet mes tyre kanë të bëjnë me transferimin e pushtetit tek një autoritet civil dhe me integrimin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtri./REL

Të ngjashme