Më shumë se 30 milionë njerëz në mbarë botën do të shtyhen përsëri në varfëri edhe nëse konflikti i luftës në Iran do të përfundojë nesër, kanë paralajmëruar Kombet e Bashkuara.
“Në mbarë botën, 0.5 deri në 0.8 përqind e PBB-së po humbet. Çfarë do të thotë kjo për vendet më të cenueshme në botë? Do të thotë që 32 milionë njerëz po shtyhen përsëri në varfëri”, tha për Reuters Alexander De Croo, kreu i Programit të Zhvillimit të OKB-së, transmeton Klankosova.tv.
“Remitancat për rajonin e Azi-Paqësorit, janë 100 miliardë në vit, të cilat dikur shkonin direkt nga një familje në tjetrën, po zhduken shumë shpesh këto ditë”, tha ai.
“Edhe nëse lufta do të ndalej nesër, këto efekte, i keni tashmë, dhe ato do të shtyjnë më shumë se 30 milionë njerëz drejt varfërisë”.
De Croo, një ish-kryeministër belg, tha se kjo ishte për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe pasigurisë në rritje të ushqimit.
Përveç furnizimeve me naftë, sasi të mëdha plehrash kalojnë normalisht edhe nëpër Ngushticën e Hormuzit, e cila në fakt është mbyllur nga Irani.
Ai paralajmëroi se mungesa e ushqimit do të arrijë kulmin brenda disa muajsh.
“Sezoni i mbjelljes është tani. Nëse e bëni tani dhe nuk keni qasje në plehra, ky produktivitet do të jetë shumë më i ulët në shtator, tetor dhe nëntor… (dhe) pasiguria ushqimore do të jetë në nivelin e saj kulmor brenda pak muajsh”, tha ai.