Në një njoftim nga presidenca e KS-OKB, që u miratua nga 15 shtete të këshillit, shprehet shqetësimi për ndikimin e përleshjeve mbi popullsinë civile, në Jemen, Somali, Sudanin e Jugut dhe veriun e Nigerisë
Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) njoftoi se 20 milionë persona në Jemen, Somali, Sudanin e Jugut dhe veriun e Nigerisë, për shkak të përleshjeve po ballafaqohen me mungesë të ushqimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga presidenca e KS-OKB, që u miratua nga 15 shtete të këshillit, shprehet shqetësimi për ndikimin e përleshjeve në këto shtete mbi popullsinë civile.
Duke vënë në dukje se palët konfliktuese në këto shtete nuk po lejojnë hyrjen e ndihmave humanitare, në deklaratë thuhet se për këtë arsye 20 milionë persona po përjetojnë rrezik të urisë. Në deklaratë palëve iu bëhet thirrje që t’i mbrojnë civilët dhe që të mos ndalojnë hyrjen e ndihmave.
Në deklaratë thuhet se nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është kërkuar që të përgatisë një raport lidhur me rrugët e zgjidhjes së problemit të arritjes së ndihmave te civilët e këtyre katër shteteve.
Për herë të parë mungesa e ushqimit ndërlidhet me konfliktet
Në anën tjetër përfaqësuesja e përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, në një deklaratë me shkrim lidhur me raportin thotë se mungesa e ushqimit ka ndërlidhje të drejtpërdrejtë me paqen dhe sigurinë dhe se KS-OKB për herë të parë ka pranuar një raport i cili bën ndërlidhjen e konflikteve me mungesën e ushqimit.
Ndërkaq edhe përfaqësuesi i përhershëm i Britanisë së Madhe në OKB, Matthew Rycroft, në një deklaratë për gazetarë thotë se “Tani më urinë nuk po e shkaktojnë vetëm kushtet klimatike ose popullsia e madhe, në të njëjtën kohë po e shkaktojnë edhe aktet nga dora e njeriut dhe konfliktet”.
Rycroft theksoi rëndësinë e marrjes së kësaj teme në agjendën e KS-OKB-së dhe kërkimin e zgjidhjeve për të.