Këngëtarja dhe aktorja, Olivia Rodrigo, do ta shënojë debutimin e saj në skenën e muzikës në Britani të Madhe, me performancën e ardhshme në ceremoninë shpërblyese “BRIT Awards”.
Të mërkurën më 28 prill, organizatorët e kësaj ngjarjeje e bënë të ditur lajmin se ylli i hitit “Drivers License”, i është shtuar listës së performuesve të ceremonisë e cila mbahet më 11 maj.
Kështu Rodrigo i bashkohet yjeve të tillë si Dua Lipa, Arlo Parks, Griff, Headie One dhe të tjerë, të cilët do ta hijeshojnë skenën e ceremonisë “BRIT” me performancat e tyre.
Këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa, në këtë ngjarje garon në gjithsej tri kategori, “Artistja më e mirë”, “Albumi më i mirë” dhe “Kënga më e mirë britanike”. Kurse këngëtarja Griff sivjet e pranon shpërblimin “Artistja më e mirë e re”.
Rodrigo e postoi një mesazh për performancën e saj të ardhshme, njëherësh e para në Britani të Madhe, të shoqëruar me fotografinë e saj të patentë shoferit.
“Hera e parë që do të interpretoj në Britani të Madhe dhe atë në ceremoninë ‘BRIT’. Zot i madh, jam shumë e lumtur dhe mezi po pres”, kishte shkruar këngëtarja në mesazhin e saj.
Edicioni i sivjetmë i ceremonisë “BRIT” e cila do të mbahet në arenën O2 të Londrës, bënë pjesë në organizimet e përzgjedhura nga Qeveria duke e lejuar një audiencë të drejtpërdrejtë me 2,500 njerëz. Ndërkaq bileta falas për ta ndjekur këtë ngjarje muzikore, u janë ofruar edhe punëtorëve shëndetësorë të cilët kanë punuar dhe vazhdojnë të shërbejnë në vijën e parë të frontit. Publikut nuk do t’i kërkohet të mbajnë maska ose distancë shoqërore, por ata do të duhet të sigurojnë një test negativ përpara se t’ju lejohet hyrja në ndërtesë.
18-vjeçarja Rodrigo e publikoi këngën debutuese “Drivers License”, më 4 janar të këtij viti. Ajo arriti të qëndroj në pozitën e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira “Billboard”, për tetë javë rresht si dhe i ka dominuar toplistat tjera muzikore në SHBA dhe shtete tjera të botës, derisa në top-dhjetëshen e kësaj topliste, Rodrigo arriti të pozicionohet edhe me këngën e re “Deja Vu”. Këngëtarja mbeti jashtëzakonisht e emocionuar për faktin se dy këngët e para të karrierës arritën të renditen në vendin e pestë dhe të tetë të një prej toplistave më të rëndësishme muzikore.