Olivia Rodrigo vazhdon t’i dominojë toplistat muzikore në Britani të Madhe

Prishtinë | 25 Jan 2021 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Po vazhdon suksesi i këngëtares së re Olivia Rodrigo në Britani të Madhe, ku kënga e saj debutuese, “Drivers License”, ka arritur t’i kryesojë toplistat e këngëve më të mira për të dytën javë me radhë.

Këngëtarja dhe aktorja tinejxhere nga Kalifornia, me lehtësi e ka marrë titullin triumfues falë performancës së mirë në shitje.

“Drivers License” e fitoi garën për pozitën e parë të toplistave muzikore qysh në javën e parë të lansimit, duke thyer kështu edhe rekorde të shkarkimit online.

Gjatë javës që e lamë pas, kënga arriti të shkarkohet më shumë se 13 milionë herë, suksesi më i madh i arritur nga një këngëtare debutuese në dy vjetët e fundit.

Sensacioni i fundit në muzikë, Olivia Rodrigo, ka arritur të debutojë fuqishëm në skenë me videoprojektin, “Drivers License”, i cili ka dy javë që është lansuar në platformën YouTube, dhe deri më tani i numëron më shumë se 68 milionë klikime.

Në pozitën e dytë të toplistës së këngëve më të mira në Britani të Madhe, gjendet Anne-Marie me këngën “Don’t Play”. Ky njëherësh është suksesi më i madh i saj si solo-artiste, në toplistat muzikore.

Në vendin e tretë renditet Ariana Grande me këngën “34+35”, në vendin e katërt gjendet grupi “Little Mix” me hitin e tyre të fundit “Sweet Melody”, dhe në pozitën e pestë renditet këngëtari The Kid Laroi me këngën “Without You”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme