Zgjedhja e Donald Trumpit për president të Amerikës, ndonëse për shumë ekspertë ka qenë një befasi, për shumë të tjerë ka qenë e pritur, dhe në këtë drejtim kanë qenë ndikues një mori faktorësh, disa prej të cilëve nuk janë marrë në konsideratë as nga vetë kandidatja Clinton.
Tendenca dhe premtimet për rregullimin e sistemit bankar dhe për rregullimin e sistemit të bizneseve tjera, polarizimi i pasurisë, borxhi kombëtar, përmirësimi dhe nivelizimi i jetesës për të gjitha shtresat e popullsisë, si dhe paraqitja e vazhdueshme e Trump-it nëpër mediat vendore e ndërkombëtare, madje edhe atëherë kur kanë qenë kundër tij, në një mënyrë kanë ndikuar që ai sot të jetë në postin ku është tani.
Këtë konstatim e ka bërë profesori i historisë në Universitetin Kentucky të SHBA-së, David Olster, gjatë ligjëratës tematike të quajtur “Befasia e nëntorit për dikë: Zgjedhja e Donald Trumpit dhe kufijtë e urtësisë konvencionale”. të mbajtur për studentët e UBT-së, në kuadër të serisë së përjavshme të debateve, të cilat po organizohen në UBT.
“Familjet dhe njerëzit amerikanë, zakonisht shpenzojnë më tepër të ardhura, se sa që fitojnë, sidomos shtresa e mesme, shumica e të cilëve mbijetojnë përmes borxheve, por edhe përkundër kësaj, Clinton më tepër u angazhua në nivelin shoqëror, se sa në atë ekonomik”, vlerësoi ai, teksa shtoi se “ndër gabimet më të mëdha të kandidates Clinton, ishte mbështetja dhe tendenca për të vazhduar sistemin politik të Obama-s, prej të cilit votuesit ishin ndjerë të mashtruar”.
Duke numëruar faktorët që e bënë fitues Donad Trumpin, Olster tha se rol të madh në këtë mes kanë luajtur edhe mediat, të cilat sipas tij, i kanë dhënë vazhdimisht hapësirë të madhe, qoftë edhe duke folur negativisht për të.
“Çdo ditë, çdo orë, mediat nuk diskutuan vetëm atë se çfarë Trump thoshte, por në mënyrë indirekte dhe të pakontrolluar reklamonin edhe çështjet, në të cilat ai ishte i përqendruar, pra në një farë forme mediat transmetonin atë që amerikanët kishin dëshirë të dëgjonin, duke e lënë tërësisht nën hije kandidaten tjetër”, prandaj sipas tij, “kjo është edhe arsyeja se pse Clinton harxhoi mbi 1.2 miliardë dollarë në fushatën e saj presidenciale, përkundër Trump-it, i cili harxhoi më pas se gjysmën e këtyre parave”.
David Olster ka qenë president i Asociacionit për Studime Bizantine për Amerikën Veriore, është autor i disa librave, i shumë artikujve shkencorë, i recensioneve etj., si dhe pjesëmarrës i rregullt në konferenca ndërkombëtare shkencore, teksa aktualisht është edhe profesor vizitor në UBT.