Është e famshme për qëndrimin e saj prej Dive, e komentuar pa fund për tipin shumë moskokëçarës dhe indiferent, Olta Gixhari është pa dyshim një prej aktoreve më të suksesshme të Teatrit e Kinemasë e po ashtu një prej figurave publike më të ndjekura.
Karrierën e nisi fare e vogël, duke interpretuar në skena si balerinë, por ky rrugëtim i nisur me art nuk do t’i ndahej më.
Ajo ka studiuar në Universitetin e Arteve në degën e dramës dhe sigurisht, që në fillim do të spikaste për pamjen prej “femme fatale” dhe interpretimin prej kokete.
Së fundmi e kemi parë të na serviri përmes rrjeteve të saj sociale projektet më të fundit që ka, si për shembull një copëz nga seti i filmit më të fundit të vëllezërve Papadhimitri, apo bashkë-interpretimin më Neritan Liçajn tek vepra “Vetëvrasësi”.
Por më shumë se këto eksperienca me të cilat jemi mësuar nga Olta, ajo që na ka tërhequr vëmendjen është pikërisht një postim krejt tjetër, që vetë Olta e përshkruan si një derë e re në jetën e saj.
Me sa duket bukuroshja e Durrësit e ka vendosur t’i dedikohet biznesit në një prej fushave më të rëndësishme në Shqipëri, e kemi fjalën për pronat, pasurinë e patundshme dhe ndërtimin.
Olta, ka tashmë një bashkëpunim me një prej kompanive imobiliare më të rëndësishme në të gjithë botën ‘Century 21’, një logo shumë e rëndësishme për nga cilësia e shërbimeve që ofron dhe mbi të gjitha për pushtetin financiar që kjo kompani mbart. Biznesin e saj e ka quajtur “Gate”, pra portë në portë, komunikim, por e re për jetën, një portë që të çon në një rrugëtim të ri.
Me këtë intervistë jemi munduar të kuptojmë më shumë rreth asaj që Olta ka ndërmarrë me këtë biznes dhe projektet më të reja që ajo ka në tavolinë.