Onkologjia promovon sistemi laserik C-RAD, bëhet institucioni i vetëm në rajon me këtë teknologji

Prishtinë | 04 Kor 2024 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Klinikës Onkologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi ka njoftuar se është bërë promovimi i sistemit laserik C-RAD të gjurmimit optik 3D, duke e bërë kështu këtë institucion të vetmin në rajon me këtë teknologji të avancuar.

Përmes një postimi në Facebook, Kurtishi ka thënë se përdorimi i sistemit laserik C-RAD për pozicionim në radioterapi ofron një gamë të gjerë trajtimesh për pacientët tanë, duke përfshirë terapi të precizionit dhe efikasitetit të lartë në trajtimin e sëmundjeve onkologjike.

Po ashtu ai ka njoftuar se kjo teknologji e fundit ofron një standard më të lartë kujdesi dhe trajtimi për të gjithë pacientët që i nënshtrohen radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë, raporton Ekonomia Online.

“C-RAD ofron një pozicionim shumë të saktë te pacientit, duke siguruar që rrezatimi të drejtohet saktësisht në zonën që duhet trajtuar, ndërsa minimizohet ekspozimi i indeve të shëndosha dhe komplikacionet edhe efektet anësore të mundshme, pas trajtimit me radioterapi”, tha Kurtishi..

Sipas tij, ky sistem laserik do të shkurtojë kohën e nevojshme për përgatitjen dhe trajtimin e pacientëve, përmirësuar efikasitetin e punës në klinikë. 

“Po ashtu kjo teknologji ofron zgjidhje për menaxhimin e lëvizjes së frymëmarrjes, duke lejuar trajtimin e saktë të tumoreve në zonat që lëvizin me frymëmarrjen, siç janë mushkëritë dhe gjoksi. Këto përfitime e bëjnë sistemin C-RAD një zgjidhje të duhur për pozicionimin e pacientëve në radioterapi, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të trajtimit”, thuhet tutje në njoftim.

Në fund, drejtori ka potencuar që brenda dy muajve, pas trajnimit të stafit mjekësor, të filloj trajtimi i pacientëve me këtë teknologji të avancuar.

Të ngjashme