Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, janë pajtuar të zgjatin shkurtimin e prodhimit të naftës deri në muajin mars të vitit 2020.
Konsensusi ka si qëllim mbështetjen e çmimit të naftës së papërpunuar, në kushtet kur është dobësuar ekonomia botërore dhe është rritur prodhimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell Telegrafi.
Aleanca e njohur si OPEC+, ka ulur furnizimin me naftë nga viti 2017, për të parandaluar rënien e çmimeve, teksa konkurrenca nga Shtetet e Bashkuara është rritur.
SHBA-ja aktualisht është bërë vendi më i madh prodhues i naftës në botë, duke e kaluar Rusinë dhe Arabinë Saudite.
Frika e uljes së kërkesës botërore për shkak të mosmarrëveshjes tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës, ka shtuar sfidat me të cilat përballet OPEC-u.