Në shënim të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në katedralen “Shën Tereza” në Prishtinë sonte është shfaqur premiera e operës “Scanderbeg” nga kompozitori italian, Antonio Vivaldi.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Interpretim i jashtëzakonshëm i Operës ‘Scanderbeg’ të kompozitorit Antonio Vivaldi nga ansambli barok ‘Aurata Fonte’. E performuar për herë të parë në Firencë, 300 vjet më parë, kjo kryevepër operistike kushtuar Gjergj Kastriotit, vazhdon të na frymëzojë edhe sot, në 550-vjetorin e vdekjes së tij”, ka shkruar Haradinaj, në faqen e tij në Facebook.
“Si nyjë e unitetit dhe lidhjes sonë me Europën, roli dhe vizioni i Kryeheroit të shqiptarëve në rrënjosjen e idesë properëndimore, mbetet fuqi prijëse e synimeve tona kombëtare”.