Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një operacion policor, në kuadër të së cilit janë kryer bastisje në disa lokacione në komunën e Pejës, si dhe në Fushë Kosovës, që rezultoi me arrestimin e katër personave të dyshuar për disa vepra penale.
Sipas Sinjalit, burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se disa nga të dyshuarit janë kapur në fshatin Qyshk dhe në Nabërgjan, ndërsa një tjetër në Fushë Kosovë, të cilët ranë në prangat e Policisë, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale si “Zjarrvënie” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
Në kuadër të këtij aksioni, Sinjali mëson se kanë asistuar edhe hetues të Krimit të Organizuar, si dhe Njësia Speciale, me ç’rast janë sekuestruar edhe prova, që do të shfrytëzohen si dëshmi gjatë hetimit të mëtutjeshëm të rastit,
Të dyshuarit që u prangosën janë shoqëruar në stacion policor dhe pas përfundimit të intevristimit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.