Policia e Kosovës gjatë një aksioni policor për kapjen e të dyshuarve për plaçkitjen në Suharekë, bëhet e ditur se është detyruar të “neutralizojë” njërin prej të dyshuarve. Dy të tjerë janë arrestuar.
TV Dukagjini raporton se i dyshuari me inicialet D.G. ka mbetur i vrarë në aksionin policor.
Aty është plagosur edhe një zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili është jashtë rrezikut për jetë.
Medie të tjera kanë raportuar se aksioni ka ndodhur në lagjen Arbëria.
Ndërkohë raportohet se dy persona të tjerë janë arrestuar nën dyshimin se janë përfshirë në grabitjen e armatosur që kishte ndodhur më 22 nëntor, në një argjendari në qendër të Suharekës.
Në tentativë për ta parandaluar plaçkitjen, ishte plagosur në këmbë një polic i Kosovës.