Subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës dega në Lipjan, ka akuzuar ekzekutivin e Komunës me arsyetim se për herë të dytë i është mohuar qasja në dokumente publike.
Ky subjekt nëpërmjet procedurave zyrtare ka kërkuar kontratën për ndërtimin e sheshit “Adem Jashari”, nën dyshimin se punimet nuk janë realizuar sipas marrëveshjes me Komunën, pastaj në mesin e dhjetëra dokumenteve të tjera ka kërkuar edhe lejet e objekteve banesore për periudhën 2014-2019, derisa ka dyshuar se ato po ndërtohen pa kritere.
Opozita edhe një herë ka kërkuar nga Komuna t’i përgjigjej kërkesës së tyre për qasje në dokumente publike me qëllim që lëndën të mos e procedojë nëpër gjykata, e cila më pastaj do t’i kushtojë buxhetit të kësaj komune, por edhe zyrtarëve të saj. Rreth kësaj çështjeje, PDK-ja ka mbajtur edhe konferencë për media nëpërmjet të cilës ka njoftuar se Drejtoria e Prokurimit dhe ajo për Shërbime Publike nuk ia kanë ofruar dokumentet e kërkuara.
Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së dega në Lipjan, ka thënë se vetë mohimi i qasjes në dokumente publike ngre dyshime se ndërtimet e larta po bëhen pa kritere, pastaj si pasojë e kësaj po cenohen edhe projektet e tjera infrastrukturore, siç është rasti i rrugës me katër korsi.